Dy bukuroshet shqiptare dalin nga gara e “Ford's Supermodel of the World”

Dy bukuroshet shqiptare dalin nga gara e “Ford's Supermodel of the World” 250 000 dollarë amerikanë me agjencinë “Ford Models” për modelen Seung Hyun nga Koreja e Jugut. Këto ditë në Nju-Jork u zhvillua gara për supermodelen e botës “Ford's Supermodel of the World New York 2008”. Në këtë sfilatë konkurruan edhe bukuroshja shqiptare, studentja e Ekomomikut, Xheni Koçi nga Tirana, si dhe Liburneta Xhejmali, 14-vjeçarja nga Ferizaj, Kosovë, e gjatë 1 metër e 85 centimetra.

Dy përfaqësueset shqiptare në spektaklin e modeleve "Super Model of The World by Ford", që u mbajt më 16 janar në qytetin metropol të botës, Nju-Jork, Liburneta Xhejmali, përfaqësuese e Kosovës dhe Xheni Koçi, përfaqësuese e Shqipërisë, në këtë veprimtari kulturore e artistike nuk arritën të hyjnë as në mesin e pesëshes finale. Sipas rezultateve zyrtare, në pesë vajzat më të bukura mes 50 bukurosheve, kryq e tërthor botës, u zgjodhën Jacquelyna nga SHBA-të, Natasha nga Rusia, Vilita nga Lituania, Alexina nga Aglia dhe fituesja e çmimit të madh, një kontratë me 250 000 dollarë amerikanë me agjencinë "Ford Models", Seung Hyun nga Koreja e Jugut.

Sa për fitueset e tjera, “Supermodel of the World” ndau për vajzat që u renditën në vendin e dytë dhe të tretë nga një kontratë që ato të përfitojnë përkatësisht në vlerat 150 mijë dhe 100 mijë dollarë. Sidoqoftë, fat herë të tjera pritet për bukuroshet shqiptare për këto sfilata të konsideruara si më prestigjiozet e botës. Vlerësimet e specialistëve të kësaj sfilate dhe vetë drejtuesve të saj deri tani kanë qenë shumë të mira për vajzat e bukura shqiptare, prandaj edhe ka ende shpresa që të paktën paraqitja e tyre në të ardhmen, në këtë veprimtari me përmasa botërore, të shënojë një ditë edhe ndonjë sukses magjik.


Fadil Berisha, fotografi i fotomodeleve me famë të madhe, ka thënë se “kjo paraqitje mund të jetë një hap drejt botës së modës për secilën nga pjesëmarrëset. Qëllimi ynë është që vajzat e reja, paralelisht me shkollimin e tyre dhe në bashkëpunim të ngushtë me prindërit, t´i shkollojmë edhe për modele. Ky profesion nuk mësohet brenda natës dhe përfundimi i shkollimit të përgjithshëm ka gjithnjë përparësi. Ne kërkojmë vajza të reja, të cilat, hap pas hapi, gjatë pushimeve dhe kohës së lirë, përgatiten për këtë mjeshtëri, kështu që më vonë të mund të vendosin vetë se cilën rrugë jetësore e profesionale dëshirojnë ta ndjekin në të ardhmen”. Fadil Berisha u jep të gjithëve guxim, pavarësisht se cilës fushë u përkasin: “Shumë herë më pyesin se si ia kam arritur të jem pjesë e shoqërisë elitë në Amerikë. Përgjigjja, dhe kjo vlen për secilin, është e thjeshtë: Duhet të besosh në vetvete, duhet përdorur talenti dhe duhet pasur vullnet për të nxjerrë më të mirën nga vetja. Prejardhja nuk ka rëndësi dhe talenti shpërthen gjithmonë dhe kudo”.

Fadil Berisha do të vazhdojë t´i përkrahë artistët dhe talentet e reja: “Në këtë mënyrë dëshiroj t´i kthej diçka kësaj shoqërie, që më ka dhuruar aq me bollëk”.

Pasi Xheni nga Tirana dhe Liburneta nga Ferizaj kanë arritur të fitojnë vlerësimin e jurisë mes shumë konkurrenteve shqiptare, në Shqipëri e Kosovë, ato këtë radhë u vunë përballë vajzave nga vende të ndryshme të botës, në garën më të madhe për modelet. Themeluar nga Eileen Ford në vitin 1980, përmes këtij konkursi zgjidhen vajza si modele në më tepër se 50 vende të botës. “Ford agency” për Shqipërinë, në konkursin ndërkombëtar “Supermodel of the World”, në kërkim të imazheve të reja nga Shqipëria e Kosova, ka bërë të mundur që vajzat më të bukura shqiptare të përfaqësohen me ndihmën e madhe të artist fotograf Fadil Berisha. Edhe pse deri tani përfaqësueset tona nuk kanë arritur të rrëmbejnë trofeun e garës, ato janë shprehur të vlerësuara dhe e kanë konsideruar një hap në botën e modës këtë pjesëmarrje.