Një sfilatë shqiptare në kryeqytetin e modes

Mirela Nurçe "çon" Shqipërinë në New York e kishim parë gjithmonë të sfilonte për emra të mëdhenj të modës, Armani, Marc Jacobs, Calvin Klain… dita kur Emina Çunmulaj të parakalonte mbi pasarelë me veshjet e një stilisti shqiptar dukej vërtet e largët.

Ja që s’paska qenë dhe aq. Sepse nuk ka pak ditë që ka ndodhur. Modelja Emina Çunmulaj ka sfiluar për Mirela Nurçen. E jo në një aktivitet dosido. As më shumë e as më pak, në javën e modës në New York.

Më në fund drita jeshile u ndez. Pasi ka qenë një ndër stilistët e sezonit vjeshtë-dimër 2009 në “New York fashion week”, Nurçe ka fituar të drejtën për të qenë e pranishme në të gjitha sezonet e ardhshme krahas stilistëve më e emër në botë, si Versace, Chanel, Prada, Dolce&Gabbana etj. Pikërisht në shtator, koleksioni pranverë verë do të udhëtojë drejt New Yorkut firmosur nga Mirela Nurçe.

Ftesa për të marrë pjesë në javën e modës Mirelës i ka ardhur në një moment kur nuk e kishte pritur. Sepse që të arrinte deri aty, nuk kishte mjaftuar vetëm prezantimi dinjitoz. Shpenzimet i kalonin mundësitë e saj. “Arrita ta realizoj këtë falë ndihmës të Fadil Berishës, i cili sponsorizoi sfilatën time në New York. Aty pastaj pata mundësi jo vetëm të vesh modele të njohura si Emina Çunmulaj, Miss Amerika, Miss Universe, Anxhela Martini, Lu, etj, kryesisht të agjencisë “Elite”, por edhe të kem një agjent timin, që quhet Dwight Brown”. Kjo ishte e para sfilatë e përmasave të tilla dhe Mirela ishte e para stiliste shqiptare që arriti të prekte një nga evenimentet më të rëndësishme të modës në botë.

Stil, elegancë, sharm

Koleksioni i realizuar në kohë rekord u është shtuar tendencave të tjera të stinës së ftohtë që bënë modën në New York. Kryesisht pallto dhe pardesy, xhaketa e fustane elegante, me detaje të frymëzuara nga veshjet popullore shqiptare. Ndryshe nga herët e tjera, për këtë sezon Nurçe ka dizenjuar më pak qëndisje, më shumë tokëza, ndërkohë që nuk kanë munguar jakat e përmasave të mëdha, mëngët e dukshme, ngjyrat e ftohta të ditëve të ftohta. Kryesisht gri, e zezë, blu, bezhë kanë qenë nuancat që kanë mbizotëruar në veshjet e krijuara për stinën e dimrit të ardhshëm. Po në shtator ç’do të ndodhë? Le të presim…