Greta Koci
[You must be registered and logged in to see this image.]

Datëlindja: 26 Shtator 1991
Vendlindja:Kuçovë
Vendbanimi:Tiranë
Shkolla: Viti i parë “Eurolingua” Anglisht-Frëngjisht
Hobi: Aktrimi
Këngëtarët e preferuar: Kristina Aguilera, Celine Dion, Mariah Carey, Ricky Martin, Hazizi
Ngjyra e syve: Kafe
Ngjyra e flokëve: e Zezë
Gjatësia: 1.75 cm
Ngjyra e referuar :E kuqe
Shenja e Horoskopit: Peshorja


DUA TË JEM

“SIMPLY THE BEST”

Këngëtarja 15- vjeçare Greta Koçi, jashtë skenës. Si arriti të hyjë në fushën e artit dhe të konkurojë përkrah emrave të njohur të muzikës, edhe pse është më e vogla që ka hedhur zërin në tregun muzikor. Braktisja përfundimisht e klubeve të natës në Tiranë dhe planet për një karrierë të lakmueshme. Si dhe dashurinë e (pa)provuar…

Dashurinë e pret ta “godasë” si rrufeja në një qiell të pastër.

Ndërsa i këndon asaj njësoj si Anna Vissi, këngëtarja greke mjaft e preferuar për të. Trille, zhgënjim, shtrat i heshtur, hapa që dëgjohen apo parandjehen, ndoshta dhe braktisje gjen në këngët e saj. Eshtë vetëm 15 vjeç dhe 1. 75 cm e gjatë. E rrethuar si nga një aureolë nga përkudesja deri në detaje e prindërve, për më shumë se dy vjet ajo është në kërkim të skenave të mëdha. Nuk është aspak supersticioze edhe pse beson në një zot. Dhe fiton nga koncertet aq të ardhura sa të ngasë një makinë Chevrolet të zezë, të cilën e bleu 24 mijë Euro ekzaktësisht më datë 06/06/06, duke e shpërfilluar këtë ditë të frikshme si dita e djallit. Në makinën me kamio automatike, që e bën të guxojë ta ngasë edhe vetë ajo tani dëgjon gjashtë këngët më të fundit mes të cilave “Dashuri pa shije”, “Një herë po, njëherë jo”, etj.


Por e ndërron shpesh shijen, me muzikën e katër disqeve të tjerë, një disk me këngë të këngëtares Vissi, muzikë house, miks dhe një disk të këngëtares greke, Elena Paparizou, me të cilën ka të ngjarë të këndojë një këngë shumë shpejt. Ia ka premtuar Darko Dimitrov, kompozitori maqedonas, me të cilin ajo bashkëpunon.


Vajza brune e një nëne beratase dhe e një babai shkodran sapo ka prezantuar këtë videoklip, ku shfaqet e veshur si një infermiere, njëherë me veshje rozë dhe njëherë më të bardhë dhe ku rebelon për një dashuri të pamerituar .Një histori e vockël, që shkakton revoltë. “Aty interpretoj”, thotë Greta, duke mos e fshehur se një nga hobet e saj është aktrimi. Në fakt di t'i picërrojë sytë mirë dhe di të marrë poza edhe kur bën një bisedë të thjeshtë. I është bërë propozimi i parë për realizimin e një “musical”, që do të ketë në qendër jetën e një artisteje shqiptarjeje mes familjes, udhëtimeve për koncerte jashtë vendit, jetës intime, marrëdhëniet me fansat, po çfarë fansash se, që e formojnë shumë shpesh numrin privat të saj. E jëma e Gretës tregon se është ajo zëdhënësja e së bijës, që përveçse merret me gjithçka që asaj i duhet pret edhe telefonatat. Domethënë ajo ka në dorë të përzgjedhë fansat nga zëri, që pastaj t'ia kalojë telefonin Gretës. “Ka vesh muzike”, tregon Greta me të qeshur “se ka studiuar për muzikë, pikërisht për flaut”. Dhe e ka pasur një qëllim të hershëm për ta bërë të bijën artiste, që kur lindi dhe i vuri emrin e shoqes së saj të ngushtë, Greta Aliaj, e bija e koreografit të njohur Agron Aliaj.


Të paktë ishin ata që e njihnin vajzën me forma të plota , ku u u prezantua në një videoklip duet me Erion Korinin me këngën “Kush ka faj”. Romantike dhe ledhatare e trupit të saj, sikur të kishte provuar një zhgënjim të vërtetë dashurie. Shumë u çuditën kur fare rastësisht morën vesh se ajo ishte vetëm 13 vjeç e gjysmë. Në fakt ishte pare si konkurente tek spektakli “Gjeniu i vogël” dhe “Ethet e së premtes mbrëma”. Tek “Gjeniu i vogël” u pozicionua në 100 zërat më të mirë nga 7000 mijë pjesëmarrës nga vendi, por një gabim teknik për të marrë pjesë njëkohësisht tek të dy spektaklet me target të ndryshëm, i solli dëm pasi u përjashtua nga të dy spektaklet. Gjithsesi asaj iu bë oferta e parë nga “House of arts”. Për gjashtë muaj së bashku me këngëtarin Antre, ku çdo mbrëmje interpretonin muzikë të lehtë , hite shqiptare apo greke. Aty e dëgjoi Erion Korini dhe e ftoi për bashkëpunim. Më pas ajo vazhdoi me eksperiencat e saj në klubet e natës si “Rozafa Palace” dhe “Silo”.


Tani është shkëputur krejtësisht nga klubet e natës në Tiranë, për t'iu përkushtuar të kënduarit në diskotekat dhe koncerte në Kosovë dhe Maqedoni. “Ajo që më bën të ndihem mirë është eksperienca e të kënduarit “live”. E ka kthyer këngën në profesion dhe kjo është arsyeja që jo rrallë i bën hile shkollës për gjuhë të huaj. “Nuk trembem,- thotë ajo.- Ndiej shumë kënaqësi kur këndoj. Të kënduarit në ‘pub-e absolutisht nuk më dëmton.Zëri piqet, emocionet zhduken, forcohet fraza. “Pastaj unë mendoj se kur je e re të falet edhe sikur të gabosh. Vërtet është pak shpejt, por jam e bindur dhe e shoh veten gjithnjë në rrugën e artit”. Tani është duke menduar rreth bashkëpunimit me këngëtaren greke 24- vjeçare , Elena Paparizou, këngën e të cilës “My number one”, fituese e Festivalit Europian 2005, arriti ta këndojë vetëm pas dy ditësh në “House of Arts”.


“Kam kujtesë të fortë për tekstet,- thotë ajo,- dhe nuk kam frikë se e harroj edhe kur jam totalisht e pushtuar nga emocionet. Madje nuk e harroj edhe kur mërzitem dhe futem në dhomën time, vendos muzikë baladë dhe këndoj me zë të lartë”. Nuk i mungojnë ofertat nga menaxherë maqedonas të koncerteve, që kur ajo këndoi në emisionin “Ti vendos” me muzikë shqiptare që transmetohet nga Televizioni Shtetëror Maqedonas. E gjen veten mirë në tingujt e muzikës së lehtë, të cilën kujton se e ka pëlqyer që e vogël kur vetëm 4-5 vjeç ajo këndonte të gjitha këngët e Mira Koncit. Dhe prindërit që e dëgjonin me aq ëndje , i bënë një dhuratë të vërtetë. I realizuan kur ishte 5 vjeç, klipin e parë të transmetuar në televizionin lokal TV1 në Shkodër, pronë e babait. Në këtë televizion ajo kujton dhe ekperiencën si prezantuese e një emisioni për fëmijë. “Adhuruesit e parë i kam “njohur” në atë moshë, madje dhe të rritur që e bënin zërin si fëmijë që të flisnin me mua por nuk ma hidhnin dot se arrija t'i njihja dhe t'u thoja me shumë mirësjellje:“ faleminderit por ky emision nuk është për ju”. Nga fëmijëria ka dhuratë dhe bullgarishten që e flet shumë mirë, dhe që e ka mësuar kur ishte 10 vjeç gjatë dy viteve që ka jetuar me familjen në Sofie, gjatë qëndrimit të detyruar nga biznesi i babait.


Gretën mund ta pyesësh për mashkullin e ëndrrave dhe ajo të përgjigjet duke qeshur. Duket se ende nuk e ka vizatuar modelin e mashkullit të duhur. “Si të vijë fati çdo gjë është e shkruar “, përgjigjet. Dhe ndryshe nga ç'mund t'ia diktonte mosha ajo është e qetë e përmbajtur.”Qetësia është arma ime e fortë,- thotë ajo.- I zgjidh gjërat me qetësi. Madje dhe kur e pyet se a ekziston ndonjë histori e vërtetë mes saj dhe këngëtarit kosovar, Ermal Fejzullahut ajo përgjigjet “Unë s'mund t'i ndaloj ndjenjat e të tjerëve, e kam thjesht koleg”. Synon të ruajë kuptimin e “Simply the best”, edhe në nota, të cilat i arriti gjatë interpretimit “live' në spektaklin “Top Show” në Top Channel. Tani po përgatitet për të marrë pjësë në Festivalin e Muzikës Moderne Shqiptare “Mikrofoni i Artë” që organizohet nga Radio +2 me një këngë të kompozuar nga Genti Lako.”


Besoj se është i vetmi festival ku fiton vërtet më i miri dhe ka qenë kjo arsyeja përse marr pjesë.


Jam zhgënjyer jo pak nga festivali “Kënga magjike”, ku konkurova me nje këngë shumë të pëlqyer “Kam mall”, dhe nuk u përfshiva as në finale.


Ndërkohë që ajo i beson shumë publikut. Dhe po rimerr forcat për një verë të nxehtë. Grupi kosovar “Hana Band” e ka përzgjedhur si të ftuarën e koncerteve të tyre nëpër Shqipëri nga 24 Korriku deri më 10 Gusht.


Greta
Kanë thënë për mua:


Irma Libohova: “Ti jo vetëm që je një këngëtare e mirë por ti mund të konkurosh dhe për miss”


Adi Hila i ka thënë nënës sime “ Ti mban një diamant për dore”


Genti Lako: “ Nga zëri yt qetësohet dhe një i dehur”


Darko Dimitrov : “Ti ke për të arritur shumë larg sa do ta harrosh Darkon”


Ocko : “me këngën “Dashuri pa shije” do të çoj në MTV”


10 këshillat që i bën vetes:


Mendohu para se të … flasësh
Largohu nëse …e ndien se të tradhtojnë
Zhvishu kur … bën vapë
Mos këndo kurrë me … muzikë të kopjuar
Mos puth asnjëherë një …njeri që të zhgënjen
Mos harro të hash … para se të dalësh në mëngjes nga shtëpia
Mos fli kurrë pa …thënë natën e mirë
Vishu si … Greta
I thuaj jo gjithmonë atij që … nuk të kupton
Fillo të ecësh vetë kur të jesh … e sigurtë në atë që bën