Zbulohen varret antike në Gjirokastër



Katër varre antike, që i përkasin periudhës historike të shekullit IV-III para Krishtit janë zbuluar ditën e djeshme nga një ekspeditë arkeologësh në qendër të luginës së Drinosit, në fshatin Valare të Komunës së Lunxhërisë në rrethin e Gjirokastrës.

Varret e vjetra që ndodhen në fund të një parcele ndanë bregut të majtë të rrjedhës së lumit Nimica, një prej degëzimeve që pasi zbret nga shpatet e malit të Lunxhërisë, ushqen me derdhjet e tij lumin Drino.

Zbulimi i grupit të varreve antike është bërë gjatë inkursioneve të një ekspedite informative të organizuar nga Sektori Arkeologjik i Butrintit, në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Antigonesë për të fotografuar dhe dokumentuar kështjellat, sitet dhe objekte të tjera arkeologjike që gjenden në Luginën e Drinos.

Prof. Dr. Dhimitër Çondi, arkeolog i njohur, tha dje se fillimisht varret janë zbuluar në fillim të viteve ‘80 gjatë punimeve të mjeteve bujqësore për sistemimin e parcelave përreth ish-kompleksit të mbarështimit të gjedhit, por prej asaj kohe askush nuk ka treguar interes për gërmimin dhe studimin arkeologjik të këtij objekti të rrallë të lashtësisë.

Sipas tij, objekti monumental në luginën e Drinos, (bëhet fjalë për një varrezë antike me diametër rreth 30 metra), që si rezultat i ndërhyrjes brutale dhe shkatërrimit me buldozerë rreth 30 vjet më parë, tani i kanë mbetur vetëm 4 varre, dy prej tyre të plotë dhe dy të dëmtuar pjesërisht.

“Kemi të bëjmë me 4 varre të rregullt të ndërtuar me pllaka monolite prej guri nga shtufi i zonës përreth, që janë pjesë e një varreze më të madhe në formë rrethore, e cila i përket periudhës historike antike, të cilët për çudi, as janë identifikuar nga strukturat e ruajtjes së monumenteve dhe as janë gërmuar deri tani nga ekspertët e arkeologjisë”, - shprehet arkeologu Dhimitër Çondi.

Nga një vështrim i shpejtë i vendit, më shumë se ¾ e saj janë dëmtuar plotësisht dhe gjurmët e dhunimit janë të dukshme, pasi një pjesë e gurëve të mëdhenj të varreve gjenden në faqet e pjerrëta të bregut të lumit të Nimicës.

“Kemi të bëjmë me një dëmtim serioz të monumentit nga mjetet e rënda bujqësore dhe nga një varrezë e strukturuar antike në formë rrethore me diametër rreth 30 metra, kanë shpëtuar dy varre të plota dhe dy të tjerë të dëmtuar, që ruajnë prerjen në mes të tyre. Por pavarësisht nga ky dëmtim, pjesa e mbetur ofron një material kulturor të jashtëzakonshëm, që duhet trajtuar me kujdes nga arkeologët dhe ekspertët e monumenteve pasi gjendet e vendosur në qendër të luginës së Drinos”, - thotë Çondi.

Varret e mbetura kanë formë paralelopipedi të rregullt, ku çdo faqe e varrit formohet nga një gur i vetëm shtufi me dimensione që shkojnë nga 1,8 deri në 2,3 metra të gjatë dhe nga 0,7 deri në 1 metër të gjerë, ndërkohë që trashësia e gurëve varion nga 18 deri në 23 centimetra. Katër varret e zbuluar së fundi, të mbetur nga një varrezë e plotë, janë të vendosur në formë të harkuar gjysmërrethore me shtrirje nga lindja në perëndim, në një gjatësi rreth 18 metra. Varre të ngjashme monumentale janë ndeshur edhe në disa pika të tjera të luginës së Drinos, si në Antigone, Jergucat, Sofratikë dhe Melan.

“Vlerësimi i këtyre varreve antike monumentale të Valaresë, paraqet interes të veçantë edhe për t’u kthyer në një pikë të vizitueshme, pasi këtë gjë e favorizon së tepërmi, prania e siteve dhe objekteve të tjera arkeologjike dhe historike në luginën e Drinos.

Vendndodhja e tyre rreth 800 metra larg zyrave të komunës së Lunxhërisë dhe sidomos fakti që varret ndodhen rreth 200 metra larg “Hanit të Xharave”, ku Ali Pashë Tepelena, masakroi burrat e Kardhiqit në fillim të shekullit të 19-të, e bëjnë pozicionin e këtij monumenti mjaft të përshtatshëm për t’u vizituar”, shprehet Ëngjëllush Serjani, drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Antigonesë.

Zbulimi i kësaj varreze antike, zgjoi menjëherë interesimin e autoriteteve të komunës së Lunxhërisë. Kryetari i kësaj komune Ilia Kuro, është shprehur për ATSH-në, se "Që nga sot, ka nisur hartimi i procedurave për të propozuar shpalljen e objektit “Monument Kulture” dhe hartimin e një projekti për ta vënë në mbrojtje këtë monument, duke e rrethuar për të mos u dëmtuar dhe për ta kthyer në një pikë të vizitueshme nga turistët vendas dhe të huaj


06/03/2008