Ministri britanik i Mbrojtjes tha se qeveria shqiptare ka bërë progres me reformat


Browne: Jemi pro ftesës për Shqipërinë në NATO


Përfaqësues të lartë të qeverisë së Britanisë së Madhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për aspiratën e Shqipërisë për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit. Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, zhvilloi para dy ditës një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe, ku u takua me zyrtarë të nivelit të lartë britanikë, nga të cilët mori sigurinë dhe mbështetjen e tyre për në Samitin e Bukureshtit. "Jemi mbështetës të aspiratës së Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Ne ju përgëzojmë për reformat në fushën e mbrojtjes dhe do të vazhdojmë t'ju ndihmojmë dhe mbështesim në rrugën tuaj drejt anëtarësimit të plotë në NATO", ka bërë të ditur Sekretari Britanik i Mbrojtjes, Des Browne gjatë takimit që zhvilloi me ministrin Mediu. Sekretari Browne ndër të tjera konfirmoi mbështetjen pa kursim të Britanisë së Madhe për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen Euro-Atlantike. Gjatë takimit mes dy personaliteteve u theksua rëndësia e marrëdhënieve mes dy vendeve. Nga ana e tij ministri Mediu vlerësoi maksimalisht mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë Shqipërisë në proçeset integruese dhe në mënyrë të veçantë bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes. Ministri i Mbrojtjes gjithashtu e informoi homologun e tij britanik me hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, që do të zhvillohet në 2-4 prill në Bukuresht. Gjatë këtij takimi, Mediu nënvizoi se, Shqipëria e cilëson anëtarësimin në NATO si mënyrën e vetme të forcimit të progresit dhe demokracisë jo vetëm në Evropën Juglindore, por dhe për komunitetin euroatlantik. Sekretari britanik i Mbrojtjes theksoi se, roli i Shqipërisë në misionet ushtarake në Afganistan, Bosnje-Hercegovinë dhe Irak, ka konfirmuar profesionalizmin e Forcave të Armatosura dhe rolin aktiv të Shqipërisë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në pikat më të nxehta të globit. Ndërkohë që, ministri Mediu e njohu Sekretarin Browne me ecurinë e reformave politike, ekonomike dhe ushtarake të ndërmarra në Shqipëri, për arritjen e standardeve për të merituar anëtarësimin në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit. Ndër të tjera, Mediu e njohu homologun e tij britanik Browne edhe me arritjet e fundit të Shqipërisë në fushën politike dhe me reformat në Forcat e Armatosura; me kontributin e tyre në Operacionet Paqeruajtëse, si dhe me përpjekjet për profesionalizmin, modernizmin, rritjen e kapaciteteve dhe ndërveprueshmërisë për përafrimin sa më të shpejtë me standardet e NATO-s. Gjatë vizitës së tij dy ditore në Londër, ministri Mediu u takua gjithashtu dhe me ministrin e Shtetit për Forcat e Armatosura, Bob Ainsworth, dhe me ministrin e Shtetit për Europën, Jim Murphy. Gjatë këtyre takimeve, ministri Mediu diskutoi lidhur me hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për anëtarësimin e vendit në NATO. Gjithashtu, Mediu zhvilloi takime të rëndësishme dhe në Parlamentin britanik, me kryetarin e Komisionit të Posaçëm të Mbrojtjes, James Arbuthnot, dhe me nënkryetarin e Partisë Konservatore, Alistair Burt, të cilët shprehën dhe qëndrimin e opozitës britanike pro integrimit të Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike. Ministri shqiptar i Mbrojtjes, gjatë qëndrimit të tij në Londër vizitoi Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike, ku mbajti një leksion me temë "Integrimi i Shqipërisë dhe siguria rajonale", i cili u prit me interes të madh nga diplomatë, akademikë dhe kërkues shkencorë të Britanisë së Madhe.


Blerina TOSLLUKU