Po lexojmë Da Vinçin

Shumica e këngëtareve që u pyetën nga "Korrieri" thanë dje njëzëri se po lexojnë "Kodin e Da Vinçit" të Dan Brown. A ishin të sinqerta? Çiljeta, e vetmja që pohon: S'kam zënë libër me dorë

Përpos bukurisë dhe famës së tyre, emra të njohur të skenës shqiptare pretendojnë se kanë një lidhje të ngushtë edhe me letërsinë. Madje, disa syresh janë shumë të azhornuara me librat e fundit të sapobotuar. Por ka edhe këngëtarë që pohojnë se kanë kohë pa prekur një libër me dorë, për faktin se angazhimet e shumta nuk u lënë kohë për librat e shkollës përkatëse, jo më për letërsinë. Mes personazheve të pyetur, vihet re se preferencat e tyre anojnë nga gjinia e librit bestseller. Një gjë të tillë e pohon edhe këngëtarja Anjeza Branka, e cila ka në dorë librin “Kodi i Da Vinçit” të shkrimtarit Dan Brown. “Momentalisht po lexoj bestsellerin “Kodi i Da Vinçit”, pas bujës së madhe që ka bërë kohët e fundit. Edhe pak fletë dhe shkoj drejt fundit dhe të them të drejtën më pëlqen, sepse është një rrëfim fantastik i Dan Brown”. Ndërkaq, Anjeza rrëfen arsyet që e kanë shtyrë të zgjedhë një libër të këtij kalibri. “Mua më intrigojnë historitë misterioze dhe të parrëfyera më parë. Një tregim tronditës i një legjende, ku ndërthuret feja, kisha,Vatikani, klane të ndryshme, që të lënë pa frymë gjer në momentin e fundit. Por kjo nuk do të thotë që nuk preferoj libra që kanë fabula të ndryshme”. Lidhur me raportin e saj me librat, këngëtarja rrëfen: “Lidhja ime me letërsinë është e hershme dhe e pandashme. Edhe pse dita ime është shumë e ngarkuar, përpiqem të gjejë një hapësirë edhe për të lexuar, pasi për mua, të lexosh është jo vetëm në funksion të kulturës, por edhe një pasion i kahershëm i imi”. Rastësia ka bërë që edhe një tjetër këngëtare të ketë në duar bestsellerin e Dan Brown-it. Bëhet fjalë për Greta Koçin, e cila ndan të njëjtat shije me Anjezën. Edhe pse ka një axhendë shumë të ngjeshur, ka vendosur t’ua kushtojë pak nga koha e saj edhe librave. “Jam duke lexuar “Kodin e Da Vinçin”, edhe pse koha ime është e kufizuar’, rrëfen për çudi edhe Greta.

Një tjetër këngëtare që e sheh letërsinë si pjesë të pandashme të jetës së saj është edhe Rozana Radi. Së fundmi ajo po lexon librin e famshëm të Arthur Golden, “Kujtimet e një geishe”. Duke qenë se ajo vjen nga një familje artistësh, që e vogël ka pasur kontakte të afërta me librin. “Raporti im me librin është krijuar që në fëmijërinë time. Edhe në vijim kam një marrëdhënie shumë të fortë edhe si pasojë e profesionit tim si aktore. Për të qenë një aktore e mirë, më duhet të lexoj shumë, por kuptohet që përzgjedh atë që lexoj”. Kujtimet e ritreguara të një geishe janë ato që kanë fokusuar vëmendjen e Rozanës tek libri. “Jam duke lexuar “Kujtimet e një geishe”, pasi dua të bëj një krahasim me versionin e fundit të filmit, bazuar nga libri. Deri tani nuk jam e zhgënjyer, pasi libri është një botë që të josh”. Ndërkohë, ka edhe këngëtare që kanë kohë pa prekur libër me dorë. Më guximtarja që e pranon pa pyetur për paragjykimet është Çiljeta Xhilaga. “U bë kohë e gjatë që nuk kam në duar një libër. Nuk kam pse të gënjej, për t’u dukur më interesante, pasi koha ime nuk del për librat që duhet të lexoj në shkollë”. Nga ana tjetër, ajo rrëfen se nuk ka ndonjë lidhje të fortë me librin.