Një album për femrat

Kengetarja Teuta Selimi hedh ne treg nje album te ri muzikor qe u dedikohet grave.

[You must be registered and logged in to see this image.]Prej tre vjetësh Teuta Selimi nuk ka nxjerrë në shitje ndonjë album të ri me këngë të sajat. Kjo nuk ka qenë pauzë në karrierë për Teutën, sepse ajo gjatë kësaj kohe ka përpunuar disa këngë dhe potpuri, që janë kënduar më herët edhe nga këngëtar të tjerë. Para pak ditësh është lançuar albumi i saj i dytë, i cili përmban gjithsej tetë këngë të reja. “Këngët në këtë album janë të gjitha të reja. Ka këngë edhe të zhanrit argëtues, por më shumë jam përqendruar tek popullorja”, shprehet Teuta për “Korrierin”.

Në realizimin e këtij albumi ajo ka bashkëpunuar me tekstshkrues dhe kompozitorë të ndryshëm. “Tekstet i ka shkruar Arsim Bunjaku dhe Avni Qaili, Virusi i ka kompozuar disa nga këngët dhe të tjerat Ardian dhe Artan Kastrati”, thotë ajo, duke shtuar se tematika e këngëve përgjithësisht ka të bëjë me dashurinë, përveç njërës prej këngëve që i kushtohet kurbetit. Ndërkaq, lidhur me dallimet e këtij albumi nga i pari, Teuta rrëfen se, në qoftë se albumi i parë ka qenë një eksperiment më shumë me zhanre të ndryshme, këtë herë ajo është fokusuar në muzikën popullore dhe shumica e këngëve në këtë album janë ritmike. “Jam munduar prej shpirtit që këngët të jenë sa më të mira”, thotë ajo. Për sa i përket realizimit të ndonjë videoklipi, Teuta thotë se kënga “Femër” ka qenë një lloj paralajmërimi për këtë album, por gjithashtu ajo tregon se edhe këngës tjetër “S’mundem me u nda” i është realizuar videoklipi dhe ka filluar të transmetohet prej disa kohësh nëpër televizione, por nuk është e sigurt nëse do të realizojë ndonjë klip tjetër. “Ma merr mendja që mjaftojnë dy videoklipe për një album. Do të bëj një videoklip tjetër, por nuk e di a do të jetë nga ky album, apo ndonjë këngë tjetër, por nëse e vendos, atë do ta realizoj në Kosovë, sepse tre videoklipet tjera i kam realizuar në Shkup dhe tash mendoj që këtu ka arritur niveli i profesionalizmit dhe s’do të ketë nevojë të shkoj në Shkup”, shprehet Teuta.

Gjithashtu, këngëtarja shpreson që ky album do të pritet mirë nga adhuruesit e saj. “Shpresoj që do të pritet mirë ky album. Unë jam munduar me shpirt që këngët të jenë sa më të mira dhe mendoj që secili do ta gjejë veten në këtë album. Unë nuk e bëj kurrë vlerësimin vetë, nuk përfundoj që ndonjë projekt i ri të dalë në shitje pa e dëgjuar dhe vlerësuar edhe njerëzit rreth meje dhe nëse atëherë të gjithë jemi dakord, vendosim ta lançojmë”, tregon ajo, duke shtuar se i tërë projekti është realizuar nëpërmjet produksionit “Arboni”.