Tuna: Ja dashuria ime

[You must be registered and logged in to see this image.]

Këngëtarja nga Shkupi, Altuna Sejdiu, së fundi është duke zhvilluar përgatitjet e saj për pjesëmarrjen në festivalin e “Eurovizionit”, festival i cili mbahet në Maqedoni. Po ashtu, Tuna është në përmbyllje të studimeve në Selanik. Ndërkohë pranon se janari i këtij viti ka qenë pasiv sa i përket anës profesionale të saj, por ajo premton se këtë vit do ta përmbyllë më suksesshëm se kurrë më parë.
-Cilat janë të rejat e fundit nga Tuna?

“Kohët të fundit i gjithë fokusi im është përqendruar në festivalin e “Eurovizionit” në Maqedoni. Po merrem me përgatitje rreth prezantimit tim skenik, interpretimit dhe detajeve tjera. Në plan privat, para disa ditësh mbarova edhe këtë semestër dhe u transferova në Selanik, ku do t’i ndjek studimet për vitin e fundit. Do të jem tri ditë në javë atje dhe ditët tjera në relacionin Shkup-Prishtinë”.

-Cilat janë ndryshimet e Tunës kohët e fundit si nga pamja, ashtu edhe nga karakteri?

“Nga pamja nuk kam bërë ndryshime drastike kohët e fundit dhe nuk planifikoj të bëj më. Ndërsa nga karakteri kam ndryshuar shumë, në aspektin pozitiv. Tani mendoj dhe veproj ndryshe nga para disa vitesh, sepse vetë “show biznesi” më bëri më të pjekur”.

-Je e dashuruar me një reper nga Kosova, kështu që është përfolur se Tuna së shpejti edhe do të martohet me të...

“Nuk e kam në plan të martohem së shpejti. Kjo është gjëja e fundit që më shkon ndërmend tani. Jam e koncentruar në karrierë. Por natyrisht që një ditë do të martohem dhe do të krijoj familjen e madhe, ashtu sikurse e kam paramenduar”.

-A mendon se lidhjen tuaj edhe më të fortë si çift, e bën profesioni i njëjtë me të?

“Profesioni i njëjtë është një përparësi në suksesin e një lidhjeje, por nuk është vetëm kjo. Mendoj se gjithçka varet nga vetë karakteri i të dyja palëve”.

-Më shumë kohë Tuna kalon në Kosovë, apo në Shkup?

“Kohëve të fundit më shumë jam në Shkup, por edhe në Kosovë jam shumë shpesh”.

-Si kalon një ditë e Tunës?

“Po varet nga periudha. Kohët e fundit ditët i kaloj më relaksuese; dy herë në javë marr orë solo këndimi. Gati çdo ditë bëj ushtrime dhe punoj me koreografen time për prezantimin skenik... Ka edhe ditë të stërngarkuara me takime të ndryshme, të cilat marrin shumë energji”.

-Çfarë profesioni përveç këngëtares planifikon të kesh?

“Edhe pse po i afrohem fundit të studimeve, në shkencat e komunikimit, ende nuk mund ta paramendoj veten me çfarë do të isha marrë pas këndimit. Nuk do të mund të jetoja një jetë pasive, si një e punësuar, sepse jeta ime është e paparashikuar dhe duhet të funksionojë 300 në orë. Ky është satisfaksioni im...”.

-Deri në çfarë moshe mendon të merresh me muzikë?

“Vetë koha do ta tregojë”.

-A jeni e lodhur nga popullariteti?

“Popullariteti ka anët e veta pozitive dhe negative. Unë mendoj që me vite mësova t’i ballafaqoj edhe ato negativet dhe më mbetet vetëm të kënaqem në çdo moment të popullaritetit që kam”.

-Çfarë zhanri të muzikës preferoni ju vetë?

“Muzikën soul, RnB dhe hip-hop”.

-Cilin nga këngëtarët preferoni të dëgjoni?

“Ka shumë artistë shqiptarë që më pëlqejnë, por do të kisha veçuar Eda Zarin”.

-Pendimi i Tunës

Jeni penduar ndonjëherë për ndonjë gjë?

“Po, për shumë gjëra në jetë”.

-Dhe cili ka qenë gabimi yt gjatë karrierës tënde që do të doje ta përmirësoje?

“Mendoj që karrierën e kam ndërtuar me mbikëqyrje të njerëzve të dashur dhe kjo më ka ndihmuar që mos të bëj gabime trashanike dhe të papërmirësueshme”.