Ka punuar shumë për të gjetur rrugën e fitores dhe ia ka dalë falë fuqisë vokale. Vajza "surprize" tregon prapaskenat

Kejsi Tola është fituese e edicionit të katërt të “Etheve”. Pas një beteje të gjatë dhe të vështirë, vajza vlonjate ka triumfuar mbrëmjen e së dielës në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Gjatë gjithë këtyre javëve në skenë, Kejsi Tola ka ecur me një ritëm dhe njëkohësisht me një personalitet artistik që e dallonte qartë nga të tjerët, çka ka bërë që ajo të lërë mbrapa konkurrentët e tjerë. Mes konkurrencës së fortë me Dorina Garucin, ajo arriti të triumfojë mbrëmjen e së dielës. Ka punuar shumë për të gjetur rrugën e duhur drejt fitores. Mesa duket, nuk i është dashur të përdorë ndonjë strategji të veçantë apo kompromis tjetër, pasi fuqia e zërit të saj ka folur vetë. Përballje e ashpër, e fortë, e pamëshirshme, me gjithë forcën dhe energjinë e gurmazit, një sprovë që ka treguar qartë aftësitë e Kejsit. Që nga ngjizja e këtij spektakli dihej që do të kishte vetëm një fitues, që do të shkëlqente dhe do të arrinte të merrte kupën simbolike të “Etheve...”, një emocion që vetëm 15-vjeçarja Tola pati shansin ta përjetojë. Por ky nuk ishte i vetmi konkurs që Tola prezantohej. Më parë ajo kishte marrë pjesë dhe është vlerësuar me çmim të parë në festivalin e fëmijëve në Tiranë dhe Shkodër. Kejsi mori 4692 vota nga Shqipëria dhe Kosova. Një performancë të shkëlqyer pati edhe vajza që mori çmimin e dytë, Dorina Garuci. Ndërsa vendin e tretë e mbajti vajza nga Gjakova, Dorina Xërxa. Lidhur me mënyrën sesi e “shijon” fitoren e madhe dhe përjetimet gjatë momentit kur triumfoi, Kejsi flet në intervistën e mëposhtme.

-E prisnit fitoren e kupës në “Ethe...”?

“Të them të drejtën edhe e prisja, por duhet të pranoj se kam qenë shumë në ankth, pasi kisha përballë një konkurrente të fortë, siç është Dorina Garuci. Momenti kur dëgjova emrin tim, ishte vërtet emocionues, ndërsa kupa për mua është thjesht një gjest simbolik, por që mua më pëlqen dhe e vlerësoj shumë”.

-Po thoni që jeni ndjerë e frikësuar nga La Garuci?

“Nuk mund të them se kisha frikë Dorinën apo ndonjë tjetër, jo se nuk i vlerësoj, por deri diku unë i dija potencialet e zërit tim. Këndoja për veten time dhe ia dola”.

-Kujt ia dedikoni fitoren në këtë kompeticion?

“Në radhë të parë familjes sime, që më ka qëndruar shumë pranë dhe ka qenë një shtysë e madhe për mua. Gjithashtu dua të falënderoj gjithë njerëzit që më votuan”.

-Tani që u shpallët më e mira e “Etheve...”, a mund të na rrëfeni sesi arritët t’i rrëzoni konkurrentët e tjerë nga gara?

“Nuk jam marrë me strategji për të rrëzuar konkurrentët e tjerë, pasi siç ju thashë më lart, gjithnjë kam menduar të këndoj sa më mirë. Ndoshta kjo ishte “arma” ime më e mirë”.

-Është përfolur se ju nuk keni shkuar shumë mirë me konkurrentet e tjerë. Sa të vërteta janë këto fjalë?

“Me të gjithë konkurrentët kam shkuar mirë dhe për herë të parë po dëgjoj një koment të tillë. Kam pasur marrëdhënie të mira sa e lejon gara, por me Dorina Garucin kam qenë më shumë e lidhur, duke qenë se jemi në një moshë dhe isha shumë e lumtur që u përballa me të në natën finale”.

-Çfarë ju ka ndihmuar më shumë nga “Ethet...”, përtej faktit se u shpallët fituese e edicionit të katërt?

“Të punosh me një staf profesionistësh është vërtet një privilegj që na ka ndihmuar shumë. Në mënyrë të veçantë, të punosh me profesorë si Alfred Kaçinari apo Shpëtim Saraçi, është një shkollë më vete”.

-Ka pasur zëra që pretendente kryesore për “Ethet...” ishte La Garuci. Si është ndjerë Kejsi përballë një lajmi të tillë?

“Të them të drejtën nuk i kam lexuar fare, pasi kam qenë shumë e zënë, por prindërit më thanë diçka në lidhje me këtë çështje. Gjithsesi, nuk u shqetësova dhe prita rezultatet, të cilët treguan të kundërtën”.

-Nisur nga gjykimi i jurisë, ju keni dhënë gjithnjë një performancë të mirë, pa i lejuar vetes gabime. Ka pasur ndonjë moment kur je ndjerë e dobët në skenë?

“Ka qenë një rast kur kam qenë sëmurë, madje kam qarë përpara transmetimit. Por fatmirësisht shkoi mirë. Por kur e kujtoj, edhe sot shqetësohem për konkurrimin tim atë ditë”.

-Cila ka qenë kënga më e vështirë që ke kënduar?

“Ka qenë po e njëjta natë, kur kam pasur një këngë të Uitni Hjuston, por më shumë se vështirësia e këngës, ishte frika se ndoshta nuk do të arrija t’i kapja notat”.

-Ke pasur ndonjë këngë që ka qenë jashtë stilit tënd?

“Në përgjithësi i këndoj të gjitha këngët dhe nuk e kam problem çfarë kënge më jepet

-Duke qenë se keni fituar “Ethet...”, ndjeheni e realizuar dhe më profesioniste tani?

“Nuk mund të jesh profesioniste vetëm me disa javë, por e ndiej veten mirë dhe do të punoj shumë për t’u realizuar si këngëtare”.

Pamë që publiku ju vlerësoi, edhe pse ke marrë shumë kritika lidhur me performancën tënde skenike. Cili do të ishte komenti juaj?

“Kështu jam unë dhe nuk dal dot jashtë vetes sime. Më vjen mirë që publiku më votoi për atë çka unë përfaqësoj”.

Tashmë që mbaruan “Ethet...” , cilët janë projektet e Kejsit?

“Më kanë premtuar një këngë në “Top Fest 5”, por që vetë unë nuk e kam dëgjuar ende, kështu që nuk mund t’ju them më tepër. Për momentin po merrem me shkollën, pasi e kam lënë pak pas dore”.