Dëbimi i shqiptarëve, abuzime me marrëveshjen e ripranimit
Enj, 06 Mars 2008
A.Rrozhani




Drejtori i emigrimit në Policinë e Shtetit, kritika disa vendeve evropiane

TIRANË- "Shtetet evropiane po abuzojnë me marrëveshjen e Ripranimit, të nënshkruar me Shqipërinë, duke dëbuar shtetasit shqiptarë, edhe kur shkelet me të dyja këmbët marrëveshja e ripranimit, e nënshkruar me Shqipërinë". Nikolla Ndoci, drejtor i emigracionit në Ministrinë e Brendshme, në fjalën e tij të mbajtur dje në Forumin Rajonal mbi përvojat e Kthimit dhe Ripranimit, ndër të tjera u shpreh se: "të jem i sinqertë, disa prej vendeve nuk e kanë zbatuar me korrektesë marrëveshjen për ripranimin e shtetasve shqiptarë". Ai iu referua shifrave tronditëse që ka Ministria e Brendëshme për shtetasit shqiptarë që janë kthyer nga vendet evropiane. Vetëm vitet e fundit janë dhjetëra mijëra shqiptarë që janë marrë forcërisht nga vendet ku punonin dhe jetonin, pa leje qëndrimi dhe janë kthyer në Shqipëri. Pjesa më e madhe janë kthyer konform marrëveshjeve të ripranimit që Shqipëria ka bërë me vendet evropiane, por një pjesë e konsiderueshme thjesht janë "paketuar" me ngut dhe janë "hedhur" në vendlindje. Sipas Ndocit, vetëm për vitin 2007 janë mbi 68 mijë shqiptarë të kthyer forcërisht nga vendet e tjera, shumica nga Greqia. Sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme, për nëntë muajt e parë të vitit 2007, shqiptarët e dëbuar në përputhje me marrëveshjen e Ripranimit ishin 48 464, ndërsa pa marrëveshje ishin dëbuar 3441 shtetas shqiptarë.

Në vitin 2006 shtetas shqiptarë të dëbuar sipas marrëveshjes së Ripranimit ishin 58 347, ndërsa pa marrëveshje ishin dëbuar për në Shqipëri 26184 shtetas shqiptarë. Ndoci kritikoi edhe mënyrën e bashkëpunimit që partnerët e huaj kanë me autoritetet shqiptare: "Ka ndodhur shpesh që na njoftojnë vetëm një ditë përpara se të sjellin personat e dëbuar". Ndoci u shpreh se probleme të ngjashmeShqipëria ka patur edhe me vende të tilla si me Bullgarinë dhe Kroacinë. Kjo e fundit, kandidate për në NATO dhe BE, është akuzuar se përdor masa represive ndaj klandestinëve shqiptarë që zgjedhin Kroacinë për të shkuar në Evropën Perëndimore, duke i mbajtur në burgje në kushte skandaloze.Shqipëria, ndonëse vijon të mbetet vendi më i varfër i Europës, është i vendi i vetëm në rajon që ka nënshkruar marrëveshje Ripranimi për shtetasit e saj që ndodhen në shumë vende të Europës, ku kanë vajtur pikësëpari të për siguruar jetesën.