Rrëfimi ngjethës i Arbërisë para psikologëve francezë
Pre, 07 Mars 2008
Laureta Mema





SHËNIM I REDAKTORIT: Rrëfimi i mëposhtëm është bërë nga një ish-përkthyese e stafeve që punonin pranë të dëbuarve kosovarë gjatë luftës në Kosovë, të cilët u strehuan në Tiranë. Redaksia e boton me shkurtime, ndërkohë që rrëfimin e plotë mund ta lexoni në internet në adresën /arberia-dhe-kosova/2008/03/05/



Sapo kishte pushuar lufta, Kosovarët i boshatisën kampet në Tiranë sa hap e mbyll sytë, por Qendra jonë, nuk ishte braktisur akoma. Tre psikologët francezë, bashkë me përkthyeset, dëgjojnë historitë e tmerrshme të luftës. Arbëria, pikërisht sot, don të flasë. Herët e tjera fliste për gjera të parëndësishme, apo siç thoshte ajo, që nuk lidheshin me dhimbjen e saj. Sot, e pi një cigare në heshtje dhe fillon. Tregon për luftën. Se si e lanë New York-un, ajo dhe i fejuari i saj, për të marrë pjesë në UÇK..

"…Kishte tre ditë qe s'kishim dëgjuar për Çlirimin, të fejuarin tim. E ndjeja se ata po më fshihnin diçka. Më nuk durova dhe iu vërsula komandantit me kallashin te koka. E kërcënova se do ia hidhja trutë në erë, nëse s'do më thoshte të vërtetën. Ma tregoi me lot në sy. Kishte rënë tre net më parë, kur po bënte rojë para hundës së serbëve. Kishte mbetur atje mbi gjemba, e dy shokët tanë nuk kishin arritur ta tërhiqnin prej plumbave… S'po i besoja në fillim. Jo, s'kish mundësi! Mirë që kishte vdekur, por i lënë atje, vetëm. Shpirti im, vetëm me shkijet. Jo! Nuk di si kam fluturuar nga thonjtë e tyre… - Do na zbulosh gjithë shtabin, do na marrësh në qafë, -kërcisnin fjalët e tyre nga pas…

Shkova ta merrja trupin.. E gjeta. Më dalluan menjëherë. Nuk pushonin së shtëni shkijet. E vura në krah. Nga trupi më binin krimbat e tij. Sytë gjysmë të dalë. Ndalova, njëri i ra. E gjeta dhe e futa në xhep. Sytë e shpirtit tim. Gjithmonë thoshte me të qeshur, nëse bie në luftë, sytë më dhimbsen se i kam të bukur… Ah! Jam e mbushur me atë erë trupi, të kalbur. Jam…" -Arbëria nuk flet gjatë. Aq kishte. Pastaj flet për politikën edhe frikën se mos do të jetë shumë vonë. Se mos do të bëjnë hile të mëdhenjtë…

Ulem në karrige. S'isha përgatitur për një rrëfim të tillë. Te pjesa e krimbave, gati sa s'më ishte dukur se do vrapoja nga dera për të gjetur diku ajër. Por jo, të gjitha i kisha dëgjuar, përkthyer… Fiksuar. Sytë e saj. Duart. Buzëqeshjen. Forcën : "Ia mora syrin që i ra dhe e futa në xhep."….

***

Ditën e pavarësisë së Kosovës, m'u kujtua Arbëria. Nuk di pse pikërisht ajo, nga tërë ato sy që unë i mbaj në mendje…Mu kujtua Arbëria dhe e pashë në mes të popullit shqiptar që po brohoriste me lumturi LIRINË e vet, atë liri që ajo e kërkoi me "shpirtin" e vet. Ia shoh lotët, kamera ndalon, ajo ma shkel syrin: "Nuk më flihet, akoma! Eh mendimet… Ti e di!".

Gazetarët tregohen shumë të pakujdesshëm me gabimet e tyre të shpejtësisë. Diku lexoja "Vëllezërit Kosovare janë të lirë", diku tjetër "Nëna Kosovë" apo "Shqipëria u bë me një vëlla"…. Ç'janë këto? Mos do të firmosim edhe ne mite të shëmtuara siç firmosën serbët? Kosova nuk është as nënë, as baba, as motër as vëlla. Kosova është Kosova. Askush mos të guxojë ta ndajë, se egërsohet Arbëria dhe iu gjuan me syrin e "shpirtit" të vet!