Forumi Zeri YT!identifikimi

Zeri i çdo shqiptari ne internet


Share

descriptionTragjedia shqiptare, "në sytë e botës"

more_horiz
Tragjedia shqiptare, "në sytë e botës"

Shpërthimi, një muaj përpara ftesës për anëtarësimin në NATO

Agjencitë ndërkombëtare më prestigjioze të lajmeve i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë tragjedisë që ka ndodhur dje në depon e municioneve që shpërtheu në Gërdec të Vorës. Ky informacion ka përbërë edhe "breaking news" për disa edicione të televizionit amerikan CNN, atij britanik BBC dhe "Euronews", si dhe thuajse të gjitha televizioneve italiane, greke dhe të vendeve të tjera fqinje.

Në lajmet e tyre, televizionet dhe agjencitë ndërkombëtare të lajmeve u janë referuar të dhënave zyrtare dhe atyre që janë deklaruar publikisht në televizionet shqiptare. Kështu, BBC në orët e mbrëmjes së djeshme në faqen e saj zyrtare në internet shkruante se "Shqipëria u godit nga një shpërthim shumë i fortë. Shpërthimi u dëgjua shumë milje larg". Aty janë raportuar edhe shifrat e të plagosurve dhe numri i viktimave të deklaruara zyrtarisht, si dhe frika e qeveritarëve për rritjen e numrit të tyre. Aty është theksuar se një ndër problemet më të agravuara që ka Shqipëria dhe që mbetet një rrezik i vazhdueshëm, janë municionet. Gjithashtu, aty është përmendur edhe fakti se Shqipëria shpreson në një ftesë të anëtarësimit në NATO në Samitin e Rumanisë muajin tjetër.

"Shtëllunga të mëdha tymi janë ngritur në qiell pas shpërthimit të një depoje armësh. Shpërthimi fillestar i depos në fshatin Gërdec, rreth 6 milje në veri të kryeqytetit, Tiranës, u pasua nga një seri shpërthimesh dhe municionet vazhduan të shpërthejnë për orë të tëra me radhë". Është ky përshkrimi i ngjarjes së rëndë të ndodhur dje nga ana e televizionit amerikan CNN. Madje, duke ju referuar edhe burimeve policore, ata pohojnë se shkaqet e shpërthimit nuk janë ende të qarta, por nuk përjashtohet as pista e një akti terrorist. Aty citohet deklarata e ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, se në Shqipëri janë të magazinuara rreth 100 mijë tonë municione në depot e ushtrisë dhe për shkatërrimin e tyre nevojiten të paktën 77.8 milionë dollarë.

Agjencia "Reuters" gjithashtu, pas një përshkrimi të detajuar të ngjarjes së rëndë të ndodhur dje në afërsi të kryeqytetit shqiptar, mes të tjerash shkruan se "Shpërthimi filloi ndërsa skuadrat shqiptare dhe amerikane po çmontonin stogjet e periudhës së Luftës së Dytë Botërore, si bomba, fishekë dhe predha të magazinuara në bazë, një pikë kjo e grumbullimit qendror për arsenalin ushtarak të periudhës diktatoriale të Shqipërisë staliniste". Gjithashtu, në këtë agjenci theksohet edhe fakti se Shqipëria shpreson të ftohet për t‘u bashkuar me NATO-n muajin tjetër. Mes të tjerash thuhet se kompania e përfshirë në shkatërrimin e këtyre municioneve deklaroi se ishin 3 mijë tonë materiale eksplozive të vendosura në këtë repart.

Prestigjiozja "The Guardian", në një lajm të botuar posaçërisht për këtë ngjarje të rëndë, shkruan: "Shpërthimi në Shqipëri, në rrezik për jetën 160 vetë". Sipas "The Guardian" një pjesë e tyre, që dyshohet se kanë vdekur dhe janë plagosur, janë amerikanë. Por ata shtojnë se Ambasada Amerikane në Tiranë nuk mund të konfirmojë nëse personeli ushtarak amerikan ishte prezent në repart ose jo. Në paraqitjen e kësaj ngjarjeje është cituar edhe dëshmia e një prej kameramanëve të "Reuters"-it, i cili arriti me shpejtësi në vendngjarje dhe në skenat e përshkruara prej tij ishin njerëzit që përpiqeshin të shpëtonin: Njerëz të tmerruar po largohen nga zona në këmbë përgjatë autostradës, gra dhe fëmijë. Makina me xhama të thyer janë lënë të braktisura në autostradë.

Në "France 24", lidhur me tragjedinë e shpërthimit të municioneve në Gërdec të Vorës, thuhet se "një kompani amerikane e kontraktuar nga NATO po ndihmon trupat shqiptare të çmontojnë municionet ushtarake që nuk përdoren më. Shkatërrimi i tyre është një nga kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë për të përfituar anëtarësinë në Aleancën e Atlantikut të Veriut". Më tej ata u referohen shifrave zyrtare të qeverisë shqiptare lidhur me numrin e viktimave dhe të plagosurve në këtë tragjedi. Jashtë komentit, të "France 24" nuk ka mbetur as përmendja e faktit që "municionet antikuare të periudhës së komunizmit përbëjnë një rrezik serioz për shqiptarët". Titulli kryesor në MSNBC ishte "Zyrtarët: Konfirmohen 5 të vdekur në shpërthimin në Shqipëri". Aty theksohet fakti se shpërthimi u dëgjua edhe në kryeqytetin maqedonas, Shkup, në një distancë prej 120 miljesh larg dhe shkaktoi një pezullim të shkurtër të fluturimeve në aeroportin e Tiranës pranë zonës ku ndodhi ngjarja. Duke iu referuar deklaratave të ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, aty thuhet se Shqipëria ka marrë oferta për ndihmë nga Italia, Greqia, Zvicra dhe shumë vende të tjera për të trajtuar të plagosurit. Sipas tyre, Italia do të dërgojë një aeroplan me personel dhe pajisje mjekësore në përgjigje të një kërkese të bërë nga Shqipëria. Po kështu nënvizohet fakti se Franca dhe Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë dhe mbështetje. Mes të tjerash, MSNBC shkruan se nga Kosova fqinje, ku pjesa më e madhe e popullsisë është me shqiptarë etnikë, janë me qindra qytetarët që i janë drejtuar spitalit të Prishtinës për të dhuruar gjak, që është dërguar me helikopter nga paqeruajtësit e NATO-s. Po kështu citohet se dhurime gjaku janë bërë edhe në Shkup të Maqedonisë, ku vetë ministri i Jashtëm, Milososki, u drejtua për në Tiranë për të ofruar ndihmë, madje duke dhuruar edhe vetë gjak. Edhe ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, ka shprehur solidaritetin e vendit të saj dhe qëllimin për ndihmë.

"Fatalitet pas shpërthimit në bazën ushtarake", shkruan "Sky". Po kështu, kjo ngjarje është mbuluar edhe nga "Al Jazzera", "Globe and Mail", "The Telegraph", "Fox" dhe një numër shumë i madh mediash ndërkombëtare.

descriptionRe: Tragjedia shqiptare, "në sytë e botës"

more_horiz
Pse nuk folet ma per gerdecin a u genjy ky popull me nje ftes per ne nato
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi