Forumi Zeri YT!identifikimi

Zeri i çdo shqiptari ne internet


Share

descriptionViti i artë i Sonit

more_horiz
Viti i artë i Sonit

[You must be registered and logged in to see this image.]E kishte menduar një vit pushimi, kur më shumë do t’i mungonte skenës sesa do ta pushtonte. Por ja që kësaj radhe fati kishte parashikuar të tjera gjëra. Një vit kur Soni Malaj i pati të gjitha: një klip të arrirë, një musical që e solli kryekëput ndryshe, por dhe një dashuri që duket të jetë e përjetshme


Teksa akrepat putheshin në orën 12 për të pagëzuar një vit të ri, si për forcë zakoni apo për natyrshmërinë e momentit, ajo nuk mund të bënte ndryshe nga të tjerët. Bashkë me kërcitjen e gotave të kristalta dhe një puthje mbi buzët e Florit, Soni kërkoi vetëm një gjë në lutjen drejtuar qiellit apo dëshirën e thënë instinktivisht në zgrip të një viti tjetër: që 2008-a t’i ngjante një viti më parë. Atij viti që ajo në fakt e kishte menduar krejt të qetë, larg zhurmës e skenës. “Këtë vit do të bëj pak gjëra. Do të rri me veten time, do t’u përkushtohem njerëzve që kam për zemër”, fjalë për fjalë kështu ishte artikuluar dëshira e saj e parë sapo këtu e një vit më parë 2007-a kishte shënuar sekondat e para të ekzistencës. Dhe në ato çaste Soni ishte vërtet e bindur për vendimin që sapo kishte marrë. Sepse ndihej e lodhur. Që nga koha kur skenën e pushtoi si soliste e jo më si një prej vajzave të “Spirit Voice”, kishte punuar si e çmendur. Koncerte pa fund, këngë të reja, videoklipe. Nuk kishte lënë festival pa marrë pjesë: Top Fest, Kënga Magjike, Mikrofoni i Artë, Festivali i RTSH-së, të cilit ia kishte njohur skenën edhe si prezantuese. E pasi kishte shijuar çmime e duartrokitje, një vit më pas befas kuptoi se nuk ndihej më e tillë, luftarake. E kuptoi se një “stop” nuk ishte i vështirë për t’u thënë e që këtej e tutje vendosi t’i merrte gjërat me qetësi, larg ditëve kur 24 orët nuk mjaftonin. Kishte parashikuar që ai do të ishte një vit i qetë. Por një gjë nuk e kishte parashikuar kurrë, që ai të ishte viti i saj i artë.


Ishte fillimi i shkurtit kur kënga “Të dua ty” solli në ekran një Soni që kurrë më parë nuk e kishim parë të tillë. Portreti i një vajze të bukur në sfondin e viteve ’50, veshur me fund të ngushtë e me bel të lartë, me këmishë mëndafshi, kapelë me tyl mbi sy e shami të bardhë me pika të zeza. Aq larg imazhit të “së voglës”, me mbathjet e verdha veshur mbi pantallonat e shkurtra, apo vajzës energjike që kërcente mbi një fuçi të drunjtë, duke tundur palat e fustanit të kuq, por edhe shumë larg kohëve kur këndonte këngë popullore krah Sinan Hoxhës. “Të dua ty” ishte një baladë e ngrohtë, klasike, brenda së cilës gjallonte një dashuri romantike. E që historia e dashurisë të dilte e plotë si në një minifilm, nuk mungonin as nuancat e dramës. Aty po që pamë një Soni 100 për qind ndryshe. Kishte vendosur të bënte një kthesë? Nuk do të ishte më ajo vajza lozonjare që e kishim parë shfaqej që në fillim? “Në fakt, ajo këngë ishte një dhuratë për babanë tim, që më 14 shkurt kishte ditëlindjen. Ndaj edhe videoklipi fillon me ‘Gëzuar Vitin e Ri 1953’, që duhej të ishte viti kur babai im ka lindur, edhe pse viti i saktë është 1952. Ky ishte një gabim i imi”. Ishte vërtet ndryshe nga çdo herë. E me atë këngë askush nuk mund të thotë se Soni nuk kishte qëlluar në shenjë. Jo më kot “Të dua ty” ngeli një ndër ato këngët që emocionojnë sa herë që shfaqen. E këtë Soni e ndjeu e para. “Ajo këngë është një nga sukseset e mia më të mëdha”.

Ishte e tillë vërtet. E ndoshta do të ngelej e vetme sikur menjëherë më pas të mos shihnim në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit një tjetër Soni, alla Brodway. Ndalesa e radhës? “Chicago”. Një musical, që ashtu si të gjitha gjërat e bukura të atij viti, erdhi pikërisht kur ajo as që e priste. Ishte duke shijuar ditët e saj të qeta, ndërsa Dritan Huqi pikërisht në atë kohë ishte duke kërkuar një vajzë energjike, që të dinte të kërcente e të këndonte njëkohësisht. E ndërsa në televizion shfaqej videoklipi i këngës “1 me 2”, teksa Soni copëtonte me sa fuqi kishte statujat e mermerta, një “Eureka” ishte oguri i parë. Roli ishte i saji.

Velma Kelly: veçse kështu do të quhej në tre muajt që do të vinin më pas. E për të depërtuar thellë në personazhin e viteve ‘40, Soni ishte gati të bënte gjithçka. Dhe në fakt bëri vërtet gjithçka. “Ishin tre muaj të lodhshëm. Orë të gjata palestër, balet, akrobaci. Duhej që lëvizjet e mia të shpërthenin jazz. Sepse ajo që duhej të bëja nuk kishte lidhje as me sambën e as me lëvizjet latine që unë njihja. Lëvizja e kokës dhe e dorës duhej të ishte ndryshe”. Ditët e saj dikur të qeta u kthyen në orë të pafundme provash në majë të takave të larta. Ata që nuk e kishin njohur më parë, zbuluan një Soni me vullnet të hekurt, që nuk ankohej as edhe kur rrëzohej e vritej. Që nuk bënte zë as kur sytë i mbylleshin për gjumë, sepse sapo kishte mbërritur nga një udhëtim treditor në Amerikë në mes të provave për musical-in e që ia arriti të bënte lëvizjen më të vështirë, edhe pse ajo karrigia nga e cila u rrëzua njëherë iu kthye në makth të vërtetë, që i dilte edhe në ëndërr. Ia doli të ishte edhe aktore, edhe balerinë; të bënte edhe koketën, veshur me zhartierë e intimo të tylta, nën flokët e zeza e të shkurtra të Velma Kelly-t. Në atë “Chicago” Katherine Zeta Jones nuk kishte asgjë më shumë sesa Soni. “Chicago ishte një plus. Ishte ajo që doja: të bija në sy edhe për diçka tjetër”.


Por, ndërkohë, veç zhurmës që shkaktoi musical-i, Soni po binte vërtet në sy edhe për diçka tjetër. Por kësaj radhe për një lidhje dashurie. E shkruar do ketë qenë me siguri, që fati atë vit do t’i buzëqeshte me dhëmbë të artë. Tani atmosfera do të bëhej krejt rozë. Gazetat do të shkruanin gjithnjë e më shumë për lidhjen e Sonit me Florian Mumajesin. Kësaj radhe nuk bëhej fjalë për thashetheme të sajuara gazetarësh. Sepse fotot do të flisnin vetë, derisa edhe ata ta pranonin se gjithçka ishte e vërtetë. “Unë e ndieja se së shpejti do të takoja një dashuri të madhe, të përjetshme. Erdhi vërtet, me Florin, mikun tim më të mirë, duke punuar gjatë në studion e NRG-së”. Ç’duhej më shumë për një histori si e tyrja? Përveç një miqësie, fijet lidhëse më të forta ishin ato profesionale e, po t’u shtosh një ndjenjë dashurie, atëherë përfundimi merret me mend lehtë. Ku i dihet, ndoshta së fundmi duhet t’i shohim me vëmendjen tek gishtat. Nga momenti në moment aty mund të shndrijë një rreth i artë. Veçse mos prisni që ata t’ua thonë. Për këtë janë të dy në një mendje. Lidhjen kanë vendosur ta mbajnë larg të gjithëve. Edhe pse në fakt vështirë se mund t’ia dalin. Sepse, ndonjëherë, krejt pa dashur, mund të bëhen edhe aktorët e shfaqjeve më të bukura të dashurisë. Siç ndodhi në skenën e Këngës Magjike, ku një puthje mes të dyve u duartrokit më gjatë se çdo performancë që këngëtarët kishin sjellë deri në atë moment. Por nuk ishte e planifikuar. Soni është gati të betohet për këtë. Ashtu siç nuk ishte i planifikuar as dueti i këngës “Fluturim 3470”. “Ajo ishte kënga e Florit. Një këngë shumë e ndjerë, që mua më pëlqente shumë dhe nuk reshtja së e dëgjuari, por ishte pjesë e vendimeve të mia që nuk do të konkurroja në atë audicion”. Ashtu ndodhi edhe atë natë. Ishin në studion e tij duke e dëgjuar këngën sërish e sërish. “Ishin orët e para të mëngjesit kur i thashë Florit: Zemër, tani duhet ta incizosh. Dhe kur ai më kërkoi të shkoja pranë mikrofonit për ta frymëzuar, thamë: Pse të mos e provojmë që refrenin ta këndojmë bashkë?”. Ja, kaq u desh që ajo të kthehej në një nga këngët më të bukura të Këngës Magjike, që do të rrëmbente çmimin e dytë dhe trofeun “Kënga Hit” e, sigurisht, edhe Çmimin e Dashurisë. Sepse në skenë ata ishin ngjitur me dhjetëra herë, por kësaj radhe ishte ndryshe, pavarësisht se Flori ishe po ai djali i përhershëm trendy e Soni po ajo vajzë simpatike, me flokët e zinj pis e buzëqeshjen e veçantë. Ashtu siç ka qenë që në ato vitet e para kur ajo, ende gjimnaziste, binte më së pari në sy krahas vajzave të tjera të “Spirit Voice”. Një vajzë tipike mesdhetare, me flokët e gjatë e të zinj, lëkurën e qartë e dhëmbët e bardhë. E tillë do të ngelej edhe vite më pas. Kështu vazhdon të ngelet edhe tani. Po e njëjta. Nuk ka bërë pjesë kurrë në radhët e vajzave “sot brune, nesër bionde”. As me gërshërën nuk ka guxuar kurrë të luajë. E vetmja herë kur e bëri ishte për 25-vjetorin. Shkurtoi balluket. Por tani është duke i rritur përsëri. Sepse loja e fortë me look-un nuk i ka pëlqyer kurrë. I mjafton pamja prej mesdhetareje të përjetshme dhe forma e mirë fizike. Që në moshën 16-vjeçare stërvitet rregullisht në palestër dhe përfundimi është ai që është. Një trup i formuar e elegant, që përvijoi atë siluetën e vajzës garipe në videoklipin e këngës “Zig-Zag”. Duhej ajo këngë. Edhe pse ndihej aq mirë nën petkat e zonjushës së viteve ‘50, edhe pse u bë një Velma Kelly perfekte, e ndiente se duhej të kthehej në imazhin e saj prej vajze energjike, të gjallë e paksa garipe. Tamam si në këngën “Zig-Zag”, që erdhi si epilogu i një viti që Soni nuk e kishte menduar kurrë të tillë. Ndaj, edhe kur 2008-a sapo kishte shënuar sekondat e para, Soni Malaj nuk kërkoi gjë tjetër prej tij, veçse të ishte si një vit më parë.

descriptionRe: Viti i artë i Sonit

more_horiz
Soni eshte nje kengetare e mire por edhe nje prezantuese shume e mire dhe kete e ka treguar ne prezantimin e festivalit te dhjetorit te disa viteve me pare se bashku me Drini Zeqo. Me ka pelqyer me teper si prezantuese ne fakt.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi