Surpriza e Stines, një këngë dedikuar Pavarësisë së Kosovës

Edhe pse 8 Marsi i kushtohet festës së gruas, kjo nuk ka dallim për preferencat në këngëtarë. Një grup të rinjsh janë mbledhur për të festuar në një prej diskove në kryeqytet, në të cilën ka qenë i ftuar për të kënduar këngëtari Stine. Ka qenë i shoqëruar nga balerinët e tij, bashkëpunimi me të cilët ka lindur prej kohësh. Një mori këngësh tashmë të njohura nga të gjithë janë kënduar jo vetëm nga Stine, por edhe nga të gjithë vajzat që ndodheshin në festë, duke falur emocione të veçanta. Shumë muzikë, kërcim dhe argëtim në një ambient të këndshëm, ku është festuar gjatë. Por Stine rezervon një tjetër kënaqësi për publikun, një surprizë e cila është zbuluar të martën në “Top Fest 5”, një këngë dedikuar pavarësisë së Kosovës. Së shpejti Stine do të hedhë në treg edhe albumin e tij më të ri.
Festa e gruas ka bërë që të jesh i ftuar për të kënduar në një diskot më në zë në kryeqytet. Si do ta cilësonit këtë aktivitet?
Aktiviteti kaloi shumë mirë, pasi kënduam dhe kërcyem në mënyrën Stine Stil dhe u dëfryem mjaft. Ambienti ishte fantastik dhe më bëri shumë për vete, pasi filluan të më shoqëronin duke kënduar njëkohësisht me mua. Kjo të bën të ndjesh kënaqësi dhe në fund të fundit çdo gjë shkon mirë.
Cili ishte programi i përzgjedhur për të kënduar?
Në fakt ishin këngët që unë këndoj si zakonisht si për shembull: “Mos më thuaj jo”, “Ishe ti”, “Kërce me mua baby”, “Të dua si fëmijë”, “Lady lady”, “Litle momy”, “Ejani ju ftojmë në party” etj. Këto janë këngët që këndoj në të shumtat koncerte, pasi me këto këngë edhe publiku më shoqëron.
Gjatë performimit në skenë, ju shoqëronin edhe balerinët. Diçka rreth bashkëpunimit me ta?
Bashkëpunimi me këta balerinë ekziston prej shumë kohësh, që kur unë dola në skenë me këngën “Të dua si fëmijë”. Në “Top Fest 4” mu dha mundësia të prezantoja të gjithë balerinët, të cilët janë me “STINE RECORDS”. Me ta bashkëpunimi vazhdoi dhe vijon ende.
Ndonjë album i yti në ardhje?
Po, po merrem dhe po punoj me albumin tim më të ri, i cili pritet të dalë së shpejti. Kënga më e re e këtij albumi u prezantua ditën e martë në “Top Fest 5”. Është një këngë patriotike kjo, ndryshe nga këngët e mëparshme. I kushtohet Pavarësisë së Kosovës, pra dedikuar asaj. Me këngën e “Top Fest5” bashkëngjiten edhe disa këngë të tjera që janë gati për të qëlluar në treg.
Pra, do të kemi një tjetër pjesëmarrje tuajën në “Top Fest 5”, duke pasur parasysh faktin që skena e këtij festivali të muzikës është mjaft fatsjellëse për ju, duke u shpallur më shumë se një herë fitues i çmimit të parë.
Po, jam duke u përgatitur fort për nxjerrjen e albumit tim të radhës në treg, dhe vendosa pse jo, të marr pjesë edhe në këtë eveniment muzikor që për mua mbetet gjithmonë shumë i dashur. Kam dalë mjaft i kënaqur dhe i vlerësuar nga ajo skenë. Më pëlqen të konkurroj mes këngëtarëve të muzikës moderne shqiptare.
Bashkëpunimi më i afërt muzikor që keni?
Ç’është e vërteta kam shumë bashkëpunime në projektet e mia, disa janë realizuar e disa ende jo me të cilat po punohet. Si fillim po publikoj bashkëpunimin e parë. Bëhet fjalë për një këngë me Nikun nga grupi “2 die 4”. Të tjerat do t’i zbuloj kur të dalë në treg albumi. Për momentin le të mbetet një surprizë.
Aktualisht me çfarë po punohet në studion tënde, veç nxjerrjes në treg të albumit?
Për këngët pjesëmarrëse të “Top Fest 5”, gjithashtu edhe për produksione private. Sigurisht, ashtu siç dihet, një pjesë shumë të mirë të kohës në studio e zë albumi im më i fundit.
Ndonjë projekt tjetër pas pjesëmarrjes në “Top Fest 5”?
Po mendoj për klipin tim më të ri, i cili besoj që do të dojë jo pak angazhim.