“Ju rrëfej dashurinë time me Triumfin, tani që nuk është më”

Ajo është rikthyer sërish në banesën e saj në Prishtinë, rri vetëm me fotot e njeriut që e deshi shumë, madje edhe këngën e braktisi pikërisht për të. I la të gjitha mënjanë dhe vendosi të jetojë në Stogovë të Kaçanikut bashkë me Triumfin, i cili udhëtonte për punë çdo ditë, pasi dihet se ka kryer punën e policit në Prishtinë. Sot, kur kjo histori është përmbyllur me fatkeqësi, kur njeriu i jetës së saj nuk gjendet ndër të gjallët, Adelina shfryn mllefin ndaj ngjarjes që ia ndryshoi jetën e saj, por flet edhe për rikthimin e saj.
Adelina, urime për rikthimin, përse u kthyet?
Aty ku e kemi lënë. Të flas pak popullorçe. Jam kthyer për hatër të atyre që më duan dhe për inat të hasmëve. Ndoshta mund t’ju duket e vështirë, por ka edhe njerëz që nuk më duan.
Mund të na tregosh se me se po merresh së fundmi?
Më bëhet qejfi që publiku më ka pritur. Sinqerisht më ka pëlqyer reagimi i tyre dhe jam gëzuar. Mendoja se isha harruar, fundja konkurrenca mund të të harrojë, kam 22 vjet në skenë dhe kjo më bëri që të rikthehesha.
Ke deklaruar që nuk do kthehesh në skenë?
Kam dhënë prononcim që nuk do të kthehem në vitin 2007. Kam pasur një ftohje në mushkëri. Çdo këngëtar e ka, jo të gjithë e tregojnë, unë e kam pasur urdhër nga doktori që për 6 muaj të kisha një tërheqje nga koncerte. Duhet të shkoja në vende malore dhe të konsumoja ushqim sa më natyral. Edhe në vende ku ka pasur televizor jam larguar, pothuajse nga të gjitha mediumet. Edhe aty ku ka pasur transistor jam larguar, për të qenë një njeri i zakonshëm dhe kam jetuar aty më së miri, kam parë se realiteti nuk është ai që shfaqet para kamerave.
Pra, nuk keni pasur asnjë lloj kanceri?
Siç po e shihni, nuk ka. Sinqerisht kam pasur vetëm një ftohje, kjo ka qenë e gjitha.
A keni dhënë intervista?
Asnjëherë nuk kam dhënë intervista që nga fundi i vitit 2006 dhe fillimi i 2007, dhe të gjitha gjërat që janë folur ndaj meje, veçanërisht në median e Tiranës kanë qenë gënjeshtra. Nuk di për çfarë arsye.
Sa vjet po bëni në skenë?
Plot 22 vjet, që nga mosha 6-vjeçare kam qenë në skenë deri më sot, me një shkëputje të vogël që e thashë pak më lart. Pra, unë jam plot 29 vjeç.
Triumfi ka qenë i dashuri yt, keni bashkëjetuar?
Normalisht që po, kemi bashkëjetuar.
Mund të na rrëfesh diçka rreth dashurisë tënde me Triumfin?
Çdo minutë, orë ditë e javë që kam jetuar me të kanë qenë minuta, orë e javë të Adelinës, të shpirtit tim e jetës sime. Asnjëherë kurrë nuk jemi ndarë, ju e dini, unë isha në skenë me publikun më se 21 vjet, e kam kënaqur publikun kudo dhe ngado që janë shqiptarët e mi, kam kënduar, vallëzuar për qejfin dhe zemrën e tyre, por për vetveten! Çfarë!!! E vërteta për këto vjet që bëra emër, fitova dhe përfitova materialisht, por për shpirtin tim, asgjë! Zura të fitoj, ta pasuroj, ta kënaq shpirtin tim, por motivin e jetës time, ma vranë, u dashurova e dashurinë, ma vranë, fillova ta dua jetën ashtu siç me mësoi ai, ma thanë lotin. E di që jo vetëm se është përfolur, por edhe shkruar gjithçka. E vërtetë është se unë kam qenë e sëmurë nga mushkëritë dhe organizmi i Adelinës, çfarë ia ka dhënë Zoti, e përballoi dhe e tejkaloi për një kohë të shkurtër. Kam jetuar në katund dhe vërtet kam jetuar. Çdo minutë të jetës e kam përjetuar si asnjëherë, atje e kam përjetuar dhe kam mësuar kuptimin e mëngjesit, të ditës e natës....Disa herë, pasi vinim në hyrje të Prishtinës, e lusja dhe qortoja Triumfin; më kthe në Stogovë, të lutem!...
Jeni larguar nga Kosova?
Jemi larguar përkohësisht në fshatin e prindërve të Triumfit, por vetëm kemi ndenjur pushim dhe më pas jemi kthyer në shtëpi.
Rasti i Triumfit është akoma në hetim?
Po, është nën hetim dhe nuk e di se sa do të vazhdojë, por nuk dua të flas, pasi mund të bëhem precedent për të penguar hetimet, kështu që unë mendoj se jam e gatshme të ndihmoj, por them se tentativat për të folur mund të pengojnë, pasi shfaqet edhe ana tjetër e medaljes. Jeta ime private mbetet e imja, ajo që jam në skenë nuk ka lidhje me dhimbjen time.
Si e ke pritur pavarësinë?
Po të tregoj me sinqeritet, kam qenë tepër e lumtur si gjithë të tjetër, por edhe kam pas ndjenja të përziera, pasi ka pasur shumë njerëz që e meritonin të ishin në këtë ditë. Ka qenë një gëzim që nuk mund të tregohet, jo si për Bajram apo për Krishtlindje. Ka qenë një dhimbje dhe krenari që e përcjellin shqiptarët që nga krijimi. Sepse ka edhe njerëz të gjallë që është turp që janë me ne dhe këtë e konsideroj padrejtësi të jetës.
Të urojmë për vidoeklipin, mirëserdhe. Na trego pak për të?
Skenarin e kam shkruar vetë. Videoklipin doja të realizoja në Kosovë, por për të qenë e sinqertë, ka qenë frika nga elemente të caktuar realizimi i videoklipit. Sipas planit duhej të realizohej në Kosovë, për shkak të adoptimit me ngjarjen dhe skenarin. Më pas tentova ta realizoja në Turqi, por ishte shumë shtrenjtë dhe opsioni i fundit ishte Maqedonia. Ishte një këngë që përfshin një person të dashur dhe unë e di që ka keq e më keq, por të gjithë e dinë se në gjeneratën e çdo shqiptari ka pasur gjithmonë dhimbje.
Cili është mesazhi që u jepni sot fansave tuaj?
Mashtrohen ata që thonë se heshtja e Adelinës paraqet një fund. Adelina nuk perëndoi. Adelina po lind, dhe këtë do të dëshmojë e sotmja dhe e nesërmja. Adelina është Adelinë. I dua ata që më duan, të tjerët nuk ekzistojnë. Kam lindur për t’u kënaqur dhe do të vdes e kënaqur me këtë që arrita. Jam dhe do jem e vetmja revolucionare. Unë jam ajo që jam. Zoti më ka krijuar kështu. Tjetër s’mund të bëhem. Dhe e di që do të imitohem, por kjo më bën të ndjehem mbretëreshë.