Mjaft: Berisha Ik!
Mjaft kërkon dorëheqjen e kryeministrit Berisha

Lëvizja Mjaft! është thellësisht e tronditur nga shpërthimi i fabrikës
së vdekjes në Gërdec dhe solidarizohet me familjet e viktimave të një
nga tragjedive më të mëdha në këto 17 vjet.

Nga ana tjetër, jemi të tronditur edhe nga deklaratat justifikuese dhe
të turpshme të Kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë, të
cilët në më shumë se një rast e kanë klasifikuar ndodhinë si aksident,
dhe në vend që të mbajnë përgjegjësi publike, janë shndërruar në
zëdhënës të mortit të radhës.

Kompania shqiptare e tregtimit te skrapit dhe ka punësuar banore me
mëditje, gra e fëmijë për bukën e gojës. Shumë nga punonjësit e tjerë,
bazuar mbi vetë dëshmitë e tyre, ishin të patrajnuar, ndërsa kushtet e
punës rezultojnë jashtë çdo standardi dhe çnjerëzore. Armët janë
grumbulluar ne një fshat dendësisht te banuar, që tani është kthyer në
një varreze masive, me burra, gra, dhe fëmije.

Vetë kjo qeveri përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr.138, datë
14.3.2007, ka sanksionuar se "Procesi i çmilitarizimit e çmontimit duhet
të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të Forcave
të Armatosura...” Diçka e tillë nuk ka ndodhur. Kujtojmë se ky është
precedenti i dytë, që nga tragjedia e ngjashme e Dhëmbanit në Tepelenë,
në 2006-ën, ku në pushtet ishte po i njëjti ministër.

Përballë këtyre fakteve, Ministri i Mbrojtjes duhet të ndiqet menjëherë
penalisht si fajtori kryesor i kësaj tragjedie, dhe Kryeministri Sali
Berisha duhet të japë menjëherë dorëheqjen, për sa kohë, si kreu i
qeverisë, është personalisht përgjegjës për keqqeverisjen që shkaktoi
këtë katastrofë njerëzore.

Në rast se kjo qeveri nuk merr përgjegjësi dhe institucionet përkatëse
nuk veprojnë në bazë të ligjit dhe moralit njerëzor, Lëvizja Mjaft! do
të organizojë qytetarët në protesta, deri në dorëheqjen e Kryeministrit
dhe ndjekjen penale të Ministrit të Mbrojtjes.

Per kete eshte hapur dhe nje faqe interneti e levizjes "Berisha, IK!" ku qytetaret mund te firmosin nje peticion ne forme postimi.

Faqja eshte: http://berishaik.com

Burim: MJAFT

Vora i bashkohet protestes Berisha, IK!

Banorët e zonës së Vorës dhe të fshatrave përreth bllokuan për katër orë autostradën. “Mediu ik! Berisha ik! Gjeni shkaktarët e tragjedisë! Hiqni depozitat e gazit! Dëmshpërbleni familjet!” ishin kërkesat e protestuesve

TIRANË - Qytetare te zemeruar bllokuan dje autostraden vitale Tirane - Durres ne shenje proteste per tragjedine e Gerdecit. Protestuesit, kryesisht banorë te fshatit Gërdec dhe zonave përreth dogjen goma automjetesh dhe hodhen parrulla antiqeveritare, duke i bllokuar per ore te tera të dy krahët e autostradës Tiranë-Durrës. Lejimi i tyre të shkonin pranë shtëpive të tyre dhe nxjerrja e përgjegjësve të tragjedisë ishin dy kërkesat thelbësore të protestës, që zgjati rreth katër orë, duke sjellë dhe paralizimin total të trafikut. “Mediu ik! Berisha ik!”, ishin dy parullat kryesore që mbizotëronin në masën e protestuesve, të cilët me tone të ashpra, veç të tjerash, kërkuan që të lejohen të shkojnë në banesat e tyre për të marrë ato pak gjëra që ngelën nga shpërthimi. Protesta nisi rreth orës 14.00 të mesditës së djeshme, një orë pas fjalës së Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili nga Vora kërkoi bashkimin e të gjithëve për normalizimin e situatës. Fillimisht 50 persona u grumbulluan në sheshin e qytetit të Vorës dhe me thirrje e parulla në duar kërkuan përgjegjësit për katastrofën. Protesta që fillimisht nisi me një grusht njerëzish, pak nga pak rrëmbeu brenda saj një numër të madh personash të dëmtuar nga tragjedia, të cilët njëzëri kërkuan vënien e drejtësisë në vend. Gjatë protestës nuk munguan as momentet kur protestues të irrituar u konfrontuan me forcat e policisë, të cilat morën urdhër të krijojnë një kordon sigurie dhe të zhbllokojnë krahët e autostradës. Vendosmëria e banorëve për të kërkuar të drejtën e mohuar arriti deri aty, sa një numër i madh personash u ulën në mesin e autostradës, duke thënë se nuk do të lëvizin që andej pa marrë një përgjigje nga autoritetet vendore për kërkesat e tyre. Disa nga protestuesit mbanin në duar parulla ku shkruhej “Gërdeci si Kabuli”, ndërsa disa të tjerë në shenjë proteste i vunë flakën një gome makine, djegia dhe tymi i zi i së cilës simbolizonin atë që ndodhi në Gërdec tri ditë më parë. Por kërkesa për gjetjen dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve nuk ishte e vetme. Banorët e zonës gjithashtu thanë që të merren masa urgjente për dëmshpërblimin deri në qindarkën e fundit të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi. Ata fajësuan qeverinë dhe ministrin e Mbrojtjes për situatën e krijuar, si dhe thanë që të merren nën mbikëqyrje depozitat e gazit, shpërthimi i së cilave mund të shkaktoi një tragjedi të përmasave të paimagjinueshme. Rreth orës 18 të pasdites së djeshme, turma e protestuesve vendosi të lirojë autostradën Tiranë-Durrës dhe të shpërndahet paqësisht. Pak momente para largimit nga sheshi i qytetit të Vorës, protestuesit thanë se në mungesë të një përgjigjeje nga autoritetet vendore dhe qendrore për plotësimin e kërkesave të tyre, atëherë protestat do të rinisin sërish dhe do të vazhdojnë duke u përshkallëzuar.

Burim: Korrieri