Forumi Zeri YT!identifikimi

Zeri i çdo shqiptari ne internet


Share

descriptionPoezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Gjuha shqype


Porsi kanga e zogut t'verës,
qi vallzon n'blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t'detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â' gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â' e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m'nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubimit,
ka'i bien qiellvet tue flutrue
n't'zjarrtat valle t'ameshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
shi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t'enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik' mâ para,
n'agim t'jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s'pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n'dorë t'shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè t't'Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi'i rruzllim mbretnin s'i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t'drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t'jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t'uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t'jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t'mbani gjuhën t'uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s'huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n'za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n'e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t'brohrisim:
Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnia!



At Gjergj Fishta

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Gjuhës shqype


Gjuh' e ambël, gjuh' amtare,
Je ambla gjuh' shqyptare!
Gjuh' e nalt' për Perëndi,*
T'cilt ndër koh't që kahmot shkuene
Mbi Tomorr të përdoruene;
Gjuh' e ambël, plot dashtni!

Gjuh' e shejt' e kaq e moçme.
Gjuh' sakole**der n'dit t'soçme,
Shoqen tande kund s'e gjenë!
Zoti ty këtu t'ka çuemun:
T'rrebt' e t'bukur e t'kulluemun;***
Kshtu gjithmon' ti ke me qenë.

Gjuh' që t'foli Skendërbegu,
Dhe ndër t'par' qe Naim Begu,
Që me shkrim t'pat lartësue.
Ty t'kan' fol' shum' kapidana,
Burra t'rrebt si t'ishin zana;
Gjuh' e rrebt, ti qofsh nderue!

Gjuh' e bukur si pranvera,
Ti s'do t'quhesh ma: e mjera;
Se na dona ty me t'rritë.
Bashk' me t'tjerat shoqe tueja,
Se ma s'dona zhele t'hueja
Veç duem ty me t'pa në dritë.



Hil Mosi, Wien (Vjenë) 14.I.1907

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Gjuhës shqipe


Lshon ame ilire n`goje agimesh s`vjetra
Ndo `i fjale e jote than` vetimeveti,
O gjuhe e folun n`bote ende ferishte
S`ciles Mayeri ne te censhmet letra
Rraj`t e mshefuna n`mot nuk mund ia gjeti
As n`t`folun t`Cezarve as n`helenishte,
Perse Athina s`kishte
Emen as Roma, kur e rrept ushtove
Nder vepra katallajsh qi nper jehona
Vigma t`fuqishme qitshin hove-hove,
Tue ndertue ledhe permbi troje t`ona.

Kuturesat e hyjit nper gjeth lisi
N`Dodonen shejte prifti, qi n`pergjime
Naten e diten rrinte atje perdore,
Porse ndo `i fllad pullnaje kundalisi,
Ndoshta me fjal`t e tueja i dha heshtime
T`perfrigueshme qi mbluen t`parat therore:
Ndoshta ndo` i buz` hyjnore
N`at mot qi zota shpesh perbujte toka
Shqiptoi kto fjal` qi ne mbi goj` na shkrefen;
Me ty hyjneshat ndoshta nper kto boka
Ndonjij biri njeriu dashnin ia shprefen.

Mbi anija t`shpejta velat nde kah preja,
Qi urdhni i Teutes niste nen hyj ari
Me msy t`Helenit barkat tregetuese
Ngarkue me ar e kem e skllave t`reja,
Ty t`kelthitte n`timue anijetari
Tue i ra me kic ilir pupes bishtnuese;
E permbi val` shkembuese
Ti jehojshe nder hymnet e ngadhnjimit
Kur, me plackat e rrmbyeme mbrend` stivue,
U afrojshin n`breg anijat prej agimit,
Mbretneshes s`detit pret me i a dhurue.

Mysteri i vjeter qi mberthen fjal`t t`ueja,
Zanin na e dridh` me nji kreni t`pashoqe,
O ghuhe e folun per trimij pranvera,
E tok na mbajte nder pushtime t`hueja
Sepse prej gojve arbnore nuk u hoqe
As kur u ndam n`besime e doke tjera;
E shekujve potera
Qi me vrull u perplas mbi tok` shqiptare
Ndonjij ndrrimi edhe n`ty i cili shtegun,
Por prap kumbimet n`buze i ke krenare
Si n`mot qi Ilirt Shqipnis i a ruejshin bregun.

Thue buza e kangatarve te paemen
Qi gzim e idhnim me ty knduen maje mali
Dhe kanga u humbi n`erresin e motit,
Ket permallim qi mungullon mbi t`emen
E vjen nga heshtja e shekujve m`a fali,
Mue trashigues i tune n`dhe t`Kastriotit?
N` kthjelltin e dites s`sotit
Kang` ndoshta t`kndueme qi vorroi kalesa
Kendoi, o gjuh` lulzue n`shkreti, dh`asht goja
E eme ahmarrse e gojve qi harresa
N`terr mbylli, kur ti s`kishe as sheje as shkroja.

Motrat e tueja qi kumbuene n`shekull
Bukurin tue sjell` n`prak t`ksaj jete
E tjetra ligj`t e Arsyes qi mbarshtrojn` fise,
Heshten e rrojn` vec n`karta:ti, per mrekulli,
Me nji mosh` trimij vjetsh e blerun mbete
Edhe kumbon e gjall` po n`ato vise
Ku me lshue tingujt nise
N`foshnjin e botes. Pse t`ka ruejtun fati
T`njom edhe virgjin? Egersija jote
Mos mban n`at gji, q`i hueji nuk pecati,
Stinen e fundme t`poezis s`ksaj bote?

O shqipe plot me munguj, o gjuh` burrash
Qi me `i fjal` t`vetme lidheshin per laku
Dhe soje as vdekja s`mujte kurr me i trande,
Shprehje t,kulluet na ep si akull gurrash
Per kang`t e burrnis s`lasht q`ushqejm` te gjaku
E t`lavdis s`re qi me t`fitue na kande;
Thjeshtin e ambel t`ande
Me ndjell` dashnin e vashavet qi t`flasin
Falja poetve t`u, por n`qe se kamben
Buzes amtare kush ia ven, ti casin
Mos prit: banu rrufe me lshue n`te namen.

O Kange, Arbnor`t e plogte i kapi gjumi;
Ti kris si za burije
Mbi ata qi flejn` pa andrra fisnikije:
E n`qe se belkacuk`t e gjuh`s ilire,
Tue t`ndie fishkllojn` prej smire,
Me rrahje flatrash ik n`nalsi t`kalthera


Ernest Koliqi

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Gjuha Shqipe


Kur në sulm hodhën turqit
Hordhitë e pambaruara,
Kështjellat e sintaksës
S’i muar, që s’i muar.


Kur panë se gjuhës
S’i hodhën dot prangat
Lëshuan drejt saj
Gjithfarë merimangash.


Parashtesa e pjesëza
E lidhëza së prapthi,
Të bukurën gjuhë
Ta bënin leshharpi.


Të të bënin ty, donin,
Shqipëri, memece.
Po ja, erdhi Naimi,
Si yll mbi ty ecte.


Dorën e zbehtë
Mbi ballë ta vuri
Të të hiqte zjarrllëkun
Prej të sëmuri.


Dhe vdisnin pjesëzat,
Thaheshin merimangat,
Ndriste si perlat
Poezia e madhe.

Ismail Kadare

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
GJUHA JONË

Vëllezër shqipëtarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëm' udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.

Shqipëria ka qënë
Edhe po do të jetë,
Po sot në ditët tënë
Të metë të mos ketë.

E ka nderuar zoti
Gjithënjë Shqipërinë,
Ish fort mirë qëmoti,
Do bëhet dhe taninë.

Sa ishte trimëria
N'atë kohë të vjetrë,
Kish emrë Shqipëria,
Sa s'kish nonjë vënt tjetrë.

Sa burra kordhëtarë
Ka nxjerrë Shqipëria
Më pastaj e më parë,
Q'i shkruan istoria!

Ajo ish koh' e zjarrtë
Dhe kish mundime tepër,
Po sot pëndë dhe kartë
Na duhet, nukë tjetër.

O burra, shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s'është koh'e parë,
Tani lipsetë dritë.

Të shkruajm' gjuhën tënë,
Kombinë ta ndritojmë,
Gjithë ç'është e ç'ka qënë
Ngadalëzë ta msojmë.

pa shihni ç'gjuh' e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç'e bukur'edh'e lirë,
Si gjuhë perëndie.

Shum'e bardhë kjo ditë
Për gjithë shqipëtarët,
Do na sjellë një dritë,
Që s'e kishin të parët.

Kjo dritë do na bjerë
Të gjitha mirësitë
Dhe gjithë do t'i ngrerë
Dëmet e marrëzitë.

Si lum kush zë të mbjellë,
Lum kush vë këtë pemë!
Se kjo ka për të pjellë,
S'mbulohetë me remë.

Naim Frasheri

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
KORÇA

O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq' e mir'e kaq'e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!

Kjo është një dit'e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.

Ta lusimë këtë ditë,
Q'e bekoi zot'i vërtetë
Dh'e dërgoi me shumë dritë,
T'i mbes'emëri përjetë.

Sot e vumë gurr'e parë,
Sa'sht'e bekuar kjo ditë!
Zot'i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!

Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh'e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.

Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht'e shtije,
Mbretëron fjal'e vërtetë,
Dhe të mirat gjith'i bije.

Zot'i math qoft'i lëvduar,
Q'e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo sij ka buruar,
Pa e ndritur jetën.

Lumja ti, moj korç'o lule,
Q'i le pas shoqet' e tua!
Si trimi në ball'u sule,
Ta paçim përjetë hua!

Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s'i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo 'shtë mëm' e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gasthin e vëllazërisë,
Njerëzin' e miqësinë.

S'jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Në kët'emër nderr'e kemi.

Ky emr' është shum' i mirë,
Se më s'jemi të gënjyer,
Nukë jemi n'errësirë,
E njohëmë gjën' e vjyer.

Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!

Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun'e keq'e shum'e ligë.

O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.

Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh'e gjenë më perëndinë.

Nga gjithë ç'kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s'mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt' e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft' e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

Naim Frasheri

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Gjuha Shqipe


Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m'shungullon*
përmbi er' që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.


Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m'rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.


Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan' të bukra me themel
por prap' kjo, si diell pa hije,
për mue t'tanave iu del.
................................


Ku n'breg t'Cemit rritet trimi
me zbardh, shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.


Geg' e tosk', malsi, jallia**)
jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia
e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.


Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak' e shkrime
çka natyra vet' përpoq.***)


Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera
si nj'bij' kjo që pa prind mbet:
për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,
s't'kishte kush për motër t'vet.


E njat tok' që je tue gzue,
e ke zan' tash sa mij' vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.

Ndre Mjeda

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
GJUHA SHQIPE

Qesh fytyra e Bjeshkëve të Nalta
kur shqip era nis e flet
dhe u nisën n'udhna t'larg'ta
rrokullimthi në kurbet !

Shtriqet fusha e përgjumur
dhe një sy pakëz e hap
shqip ia nis kangës dhe lumi
shqip nis t'flasin rruezat në gjak!

Shqip nis flet dhe shija e puthjes
ku dashnia nis e rrjedh
shqip nis flet dhe loti i humbjes
kur shpresa n'rrugë na ka ngel !

Por... ikën shqipja në mërgim
se varfnia duhet vra
nis fëmija tue psherëtim
edhe shqip ai nis me kja!

Qesh fytyra me vogëlushin
sa mirë shqip ai din me kja
malet jashta frymën ndalin
deti sytë hapi t'u pa!

Ç'ashtë ky za, kjo gjuhë që mbjell
diamante rreth e qark
e vransinën në det e hedh
vetëm diellin sjell në prag ?!

Që shëron malle e trishtime
t'fohtin n'shpirt në vend ta heq
e me ty rri n'halle e n'gëzime
e kurrë s'lodhet, kurrë s'thotë dreq !

Gjuhës shqipe i qeshin sytë
në mërgim bijtë ledhaton
shqip prapë flasin dhe dashuritë
dhe era e shpirtit veç shqip këndon!

Lek Gjoka

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Naim Frashëri

Nga burimi i lajthishtës,
Tej në Frashër mbi Përmet,
Mjalti i gjuhës valë-valë,
Nëpër faqe,
...........nëpër fletë.

S'mbeti mal pa hyrë në penë,
s'mbeti fjalë pa hyrë në varg;
syve hyn e del Atdheu
Ulet ylli, ndrit në prag.

Ja Naimi,
...........ja Tomorri.
Fjalë-fryma që po flasim,
Shoshi shekuj madhështori
Shqip-
Naimit i përkasim!

Gjuha shqipe hodhi shtat,
skaj më skaj blerim i dheut;
dy herë kombi bëri lart,
ndriti pallë e Skënderbeut.

Nëpër shekuj rrjedh burimi,
nga lajthishta mbi Përmet
majë malesh flet Naimi:
Gjuhën Shqipe: AMANET!

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Gjuhës Shqipe

Gjuh' e ambël, gjuh' amtare,
Je ambla gjuh' shqyptare!
Gjuh' e nalt për Perëndi,
T'cilt ndër koh't që kahmot shkuene
Mbi Tomorr të përdoruene;
Gjuh' e ambël, plot dashtni!

Gjuh' e shejt' e kaq e moçme,
Gjuh' sakole der n'dit t'soçme,
Shoqen tande kund s'e gjenë!
Zoti ty këtu t'ka çuemun;
T'rrebt e t'bukur e t'kulluemun,
Kshtu gjithmon' ti ke me qenë.

Gjuh' që t'foli Skendërbegu,
Dhe ndër t'par qe Naim Begu,
Që me shkrim t'pat lartësue.
Ty t'kan' fol shum' kapidana,
Burra t'rrebt si t'ishin zana;
Gjuh' e rrebt, ti qofsh nderue!

Gjuh' e bukur si pranvera,
Ti s'do quhesh ma: e mjera;
Se na dona ty me t'rritë.
Bashk' me tjerat shoqe tueja,
Se ma s'dona zhele t'hueja,
Veç duem ty me t'pa në dritë

Vjenë, 14.01.1907

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Uria e Poetit

Nuk jam i uritur për bukë e kripë
Por për figura e vargje

Nuk jam i etur për uje e lëngje
Por për gurra frymëzimesh

Nuk jam i varfër për pasuri
Por për vargjet e kontrolluara
Nëpër zyra të sekuestrimit

Nuk më dhëmb koka
Nga tensioni i lartë i gjakut
Por për poezitë e dënuara
Me shumë vjet heqje lirie

Uria ime ështe e madhe
Ma shuan vetëm alfabeti im

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
E shqip flasin njerëzit dhe rrugët

...........Ua ndërruan emrat rrugëve.
U dyndën carët, knjazët, vojvodët
...........Nga mesjeta drejt fundshekullit.
Me shpata, heshta, ndryshk e temjan
...........Në Dardani e Ulpianë
...........Car Llazar, Carica Milica, Knjaz Millosh,
...........Nikolla Pashiq & co.
Bodani u strehua në kishë
...........Hasani në histori
...........Ua ndërruan emrat rrugëve
shesheve, lagjeve, soliterëve...
...........Në pikë të ditës.
Si të ishte Prishtina mes Shumadisë
...........e jo në zemër të Kosovës!
Askush s'i prek as s'i trazon ato
...........statujat e bronzta
...........grafitet në mure
...........portretet posterët tabelat
...........mësa tabutë
...........Njerëzit kalojnë kokulur
Si të ishin banorë të ndonjë planeti tjetër
...........E shqip flasin
...........Shqip, për besë!

Tetor 1996

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Gjuha e zjarrtë

O gjuhë - e shenjtëruar, o mall me shpirtin plot
O vetëtim' e qjellit që fërfëllon me flakë
O djellë - i llaftaruar që ndrin si pikë lot...
Si pikë lot e ndritur po ndrij në rreze tuaj
Po ndrij e papandehur, po qaj pak e nga pakë
Sepse prej botës suaj kam mbetur kaq i huaj...

Kam mbetur kaq i huaj, dh'i ndrydhur edh'i shkret!
Prej ligjëratës sate që më çudit, o zjarr!
Me gjuhëra prej flake ti djeg... ti flet... ti pret...
Do vi! Do vi pranë mjerush e dyke vuar
E flakën vraparake nër krahë do ta marr
Posi kuvend të shkruar do të ta çik me duar

O këng' e shenjtëruar, o verb i larë n'ar
O zjarr që më përflakesh si yll vetëtimtar
O fshehtësir' e ndezur në fill prej shkrepëtime

Kur të këndoj me gojë, kur të kuptoj në kartë
Posi një kraharuar ti dhemb, o Gjuh' - e zjarrtë
Posi kullim' i gjakut që rreh në zemër time

Ti ndrin në thelb të jetës si drit' e përvëluar
O gjuh' - e zemrës sime, o mos-e-kuvenduar

Lasgush Poradeci - ”Vallja e yjeve”, 1933

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Gjuhës shqipe

I

Të falem ty, o gjuhë - shkëmb
me rrënjët thellë në shkëmbënj
që çave qiellin kur t'u vrënj
dhe shëmbe bisha e shtërpënj
pa mbete prapë
.....shkrep e shtëng;

të falem, gjuhë – shkrepëtim,
që shkrep në qiej e vrundullon,
me bujë pyjesh bubullon,
me gjëmë detesh uturon,
dhe je, siç ishe,
.....vetëtim;

të falem ty, o gjuhë – hoj,
ty, zëth i nënës – qetësi,
ty, këngë e foshnjës – kaltërsi,
ty, afshi i zemrës – dashuri –
gjithmon e ëmbël –
…..mjaltë zgjoi.

II

Të falem ty, o gjuhë e fisit tim,
siç nuk i falem asnjë perëndi –
se tempull i përjetshëm më je ti,
dhe ti mburoje nëpër mot të zi:
ti, dritë e krirtë nëpër errësi,
ti, perëndi, që nuk ke perëndim.

III

Të falem ty, o fis i vendit tim:
Ilir i lashtë, arbër i ri –
dhe sot shqiptar në shumë Shqipëri…
ty, i paepur popull luftëtar,
qendresë e fortë në luftë e zjarr;

ty, o gjahtar i moçëm me hobe,
dhe ty, bari, me hark e me kope
ty, bujk, me shpatë e me qe
ty, nënë e dhembshur e grua – gur,
ju, që më shtatet ngritët mur:
ju rroni dhe rilindni përsëri,
siç lind nga trungu bisku i ri,
kur mplaken edhe vdesin perëndi…
ju mbrujtët e mbrojtët gjer në varr:
gjuhën e shqipes sime
…..thesar

Mitrush Kuteli

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Gjuha ime e vjeter sa lashtesia

1...
Nga me te miret shqiptarë
eshte raca ime
se raca shqiptare
eshte raca me e ndritshme

Paraardhesit e mi
ne kreshtat e larta
qene princa te Dukagjinit
mbijetuar nga ... shpata

2...
Ky liber fisnik
diamant urtesie
eshte krijimi im
fantazia ime!

Perkthimi s'eshte shprehje
e pershtatshme e fjaleve
une kurre s've
ne gojen e ndershme
fjalet e njeriut
te vdekur te shekujve

Une s'kam perkthyer
fjalet e kerkujt
s'perzjeva ne vjersha
fjalet e huaja

Gjuha ime nuk eshte
perkthim nga persishtja
s'ha ushqim nga persianet
e vjeter....lashtesia!

Libri im nuk ka
pupla te huaja
s'ka fjale perkthimi
te te tjereve
gjurma!

Kurre nuk kam marre
gje nga kerkush
Zoti e di
ndoshta ka
ndonje perkim!

Qofte nga fantazia
nga gjerat e mira
apo te keqija
ky liber eshte imi
eshte trishtimi im!

Jahja Dukagjini (1498 - 1582)

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Gjuha martire

Copë- copë ranë hartat e tua të vjetra
Plot me kulla syfrangji kah bota
Po ndër to ti ishe e forta.

Dhe nuk re kurrë.
Me fjalët e tua rrufe godite papushuar
Grushtin e ngrite lart klithe gjithë zë

Nuk bie
Dhe kur nuk bie unë
Nuk bie asgjë.

E lumja ti moj gjuhë martire

Qerim Ujkani

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Gjuha shqipe

Mblidhmani gjakun.

Një plagë plumbi,
një vragë shpate
dhe fshehtaz helmi;
ca fjalë u shkoqën,
ca rrokje ranë
.... po thelbi mbeti.

Fjalët e shqipes si zaje lumi
rrugës e bjerrën gjithçka të tepërt
gjithçka të qullët;
ngjizur e lidhur si eshtra trupi.
Dhe gjaku çurkë.

Kullojnë fjalët. Ajri përflaket.

Mblidhmani gjakun.

Xhevahir Spahiu

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Halil Xani

Vargjet e mia

Vargjet e mia të ngrohta valë
Ia dhashë ”xhaxhit” internet
Si babadimri fëmijëve t`ua falë
Kudo janë, në secilin kontinent.

Vargjet e mia me aromë Kosove
Nuk i mbaj dot në kompjuter
Tek ju i nisa me shpejtësinë e dritës
Të ju gjejnë gëzuar shend e verë.

Anembanë botës ju që keni tretur
Shumë gjuhë të tjera do të mësoni
Por gjuhën shqipe n`maje gjuhe ta mbani
Se do t`ju mallkojë po qe se e harroni.

Më 16.12.2007

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Nje poezi modeste nga mua(EDMOND SHALLVARI)

Shqipja

Na mëkoi qumshti i gjirit
Na ushqeu gjuhë e shpirtit
Na gjumoi ndër përralla
Më e ëmbla shqipe-fjala.

Dhe kur flisnim çapra çupra
Ishin folje, fjalë të bukura
Ishin vetë kuptimi i jetës
Shqiptarisht dhe asgjë tjetër.

Dhe në ka pak atavizma
Mbetet gjuhë më fisnikja
Dhe në mes të pabesisë
Mbetet firma e Shqipërisë!
* * *

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Sa larg e sa afër jemi me ty Edmond. Më vjen mirë që jemi edhe këtu afër-afër.
Unë nuk do të thosha vargje modeste, por shumë të bukura këto për gjuhën shqipe.
Përshëndetje të përzemërta!
H. Xani

descriptionRe: Poezi që i kushtohen Gjuhës Shqipe

more_horiz
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi