Renis Gjoka i “Burns”: Jam shumë i dashuruar


Janë katër djem simpatikë që me muzikën e tyre ngrohin zemrën e të gjithëve, duke krijuar në këtë mënyrë mjaft fansa që presin me padurim
krijimet e tyre të reja. Është fjala për djemtë e grupit “Burns”, të cilët së fundmi ecin me të tjera plane për karrierën e tyre. Një klip i ri, i cili do të pasojë edhe me nxjerrjen në treg të albumit të tyre, ku këtij të fundit po i përgatitet një marketing i mirë organizuar. “Bluetooth” ka intervistuar solistin e grupit, Renis Gjokën i cili njëkohësisht është edhe nipi i këngëtarit të mirënjohur Aleksandër Gjoka. Në këtë rrëfim ai tregon planet më të reja të grupit, daljen në skenë së shpejti me xhaxhain e tij, dhe jetën private.

Çfarë po përgatit së fundmi grupi “Burn”? Ndonjë këngë apo klip të ri?
Po, po përgatitemi për daljen në treg të klipit të ri, por edhe një tur koncertesh në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë me të cilin tashmë kemi filluar. I pari u bë në qytetin e Durrësit. Më pas dy koncerte “live” në Piza të Italisë dhe së fundmi nxjerrja në treg me anë të një fushate të gjerë marketingu dhe planifikimi të detajuar, të albumit i cili parashikohet të dalë në qershor të këtij viti.
Jeni shndërruar në një prej grupeve të rinj më të preferuar të momentit. Ku mendoni se qëndron sekreti juaj?
Poshtë veshjeve.
Si është bashkëpunimi në grupin tuaj? Si janë ndarë punët teksa kompozoni një material të ri?
Në fakt, punët nuk është se janë të ndara me thikë, por për shumë pak kohë do të bëhet një gjë e tillë, të shtyrë edhe nga një forcë e jashtme. (Qesh). E rëndësishme është që nuk jemi vetëm në këtë rrugë që kemi marrë. Kemi një mbështetje super të fuqishme nga persona që nuk janë publikë, por që po punojnë fort për planet afatgjata dhe imazhin tonë. Nuk dua të harroj në asnjë moment fansat, të cilët janë muza jonë e frymëzimit përveç ndodhive personale që mund të të bëjnë të krijosh.
Tashmë nga të gjithë njihesh edhe si nipi i të mirënjohurit Aleksandër Gjoka. Do të dëshironit një bashkëpunim në grup me të?
Në fakt, është një plan i tillë dhe pritet të realizohet shumë shpejt. Pasi kënga të realizohet, vjen edhe momenti për të menduar me imtësi mënyrën e lançimit, pasi është një nga pikat më të rëndësishme të suksesit, pa vënë në diskutim këtu bukurinë e këngës. Por kjo do të mbetet një surprizë për të gjithë fansat. Deri tani unë mund t’iu them vetëm, se është në plan një gjë e tillë dhe po punohet për ta realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Çfarë je munduar të marrësh prej xhaxhait tënd nga ana profesionale?
Do të doja të merrja gjithçka për sa i përket anës profesionale dhe jo vetëm nga Sandri, por edhe nga të gjithë artistët që janë në lartësinë e tij.
Përveç jetës në grup, si funksionojnë gjërat mes jush? Jeni miq të mirë, dilni bashkë?
Patjetër që po. Jemi shumë miq dhe gjërat në raportin shoqëror shkojnë për mrekulli. Gjithsesi, në momentin që ne jemi duke punuar, ky aspekt del në plan të dytë. Në punë ne shohim si më të rëndësishme disiplinën.
Si e kaloni kohën e lirë?
Çfarë nuk bëjmë në kohën e lirë (qesh), kur kemi normalisht. Sidomos në këtë periudhë na nevojitet një njëmuajsh pushim total për t’u relaksuar pak, pasi kemi qenë shumë aktivë. Gjithsesi, planet janë për një muaj pushime në verë jashtë Shqipërisë, në mënyrë që të rikuperohemi totalisht për sezonin tjetër të koncerteve “live”.
E frekuentoni jetën e natës?
Po, e frekuentojmë. Tre ditë në javë duke kënduar, dhe një ose dy ditë të tjera dalim me miq për t’u çlodhur. Ç’e do që ditët që dalim për t’u çlodhur janë ditët me më pak lëvizje.
Diçka nga jeta private e Renisit? Jeni i dashuruar?
Po, shumë.
Cila është vajza ideale për ju?
Unë mendoj se asnjë nuk e ka të qartë në kokë femrën ideale. Ajo krijohet kur ti dashurohesh, dhe femra ideale brenda teje merr pamjen e femrës që je i dashuruar. Dhe si rrjedhojë, kjo femër ideale mund të ndërrojë pamje, në qoftë se dashuria kalon për një tjetër femër reale.